Telegrafi

Operatorët: Dyshime mbi “bumin” turistik

Shoqata Shqiptare e Turizmit nis të bëjë përllogaritjet rreth fluksit, duke u bazuar nga të dhënat zyrtare rreth numrit të hoteleve, mjediseve pritëse, e deri te numri i shtretërve. “Po të marrim kapacitetin maksimal të dhomave dhe të 30 mijë shtretërve që ka në dispozicion vendi ynë për turistët, pra sikur të gjitha ambientet akomoduese të jenë të zëna plot për dy muajt e pikut, korrik-gusht, rezulton se nuk mund të mbajmë më shumë se 300 mijë vizitorë.

Edhe nëse llogarisim të gjithë periudhën e paraqitjes së shifrave, të dhënat nuk korrespondojnë. Në këtë pikë, qeveria nuk i ka të dhënat e sakta, ose duhet të pranojmë që mbi 2/3 e rreth 3 milionë turistë flenë në shtëpi private të paregjistruara tregon, Kliton Gërxhani, presidenti i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA).

“Mund të kemi 3.5 milionë turistë për të gjithë vitin me të ardhura 30 milionë euro, por mund të kemi edhe 2 milionë turistë me 2 miliardë euro fitime. Ne, qeveria dhe specialistët duhet të gjejmë rrugën e duhur për të rritur të ardhurat dhe jo të krenohemi me turistë që shkojnë e vijnë për një vit”, thotë Gërxhani.

Duke qëndruar te çështja e përfitimeve të sektorit, presidenti i shoqatës, thotë se shumë turistë mund të qëndrojnë në banesa me qira, që nuk kontrollohen nga shteti, e nga ku nuk mund të vjelësh të ardhura për buxhetin. “Nëse të ardhurat nga turizmi nuk pësojnë ndryshime aq sa është numri i turistëve, atëherë këtu nuk ka vend për krenari, po për një masë emergjente për të luftuar informalitetin dhe kalimin e të ardhurave në buxhet”, deklaron Gërxhani.

Sektori i turizmit në Shqipëri kontribuon në masën rreth 14 për qind për zhvillimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto, kurse të ardhurat vjetore arrijnë deri në 1 miliardë e 300 milionë euro, duke zënë 47 për qind të eksporteve. /Shqip/