Site icon Telegrafi

Operacioni “Përfundimi”, Prokuroria jep detaje nga arrestimi i të dyshuarit për shit-blerjes së narkotikëve në Prishtinë

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dhënë detaje nga arrestimi i një personi lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale të shit-blerjes së narkotikëve.

Prokuroria në njoftimin për media ka bërë të ditur se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë veprime hetimore me ç’ rast gjatë ditës së djeshme është realizuar plani i koduar “Përfundimi”, në rrugën “Kongresi i Drejtshkrimit” Prishtinë, rreth orës 18:00, i cili ka rezultuar fillimisht me arrestimit e të dyshuarit L.Sh., nga ana e policisë dhe më pas me ndalimin e të njëjtit nga Prokurori i Shtetit, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas KPRK-së.

“I dyshuari me qëllim të shmangies nga arrestimi dhe ndalimi, me veturën e tij e ka goditur veturën zyrtare të policisë duke shkaktuar dëme materiale, si dhe dy zyrtarëve policor iu ka shkaktuar lëndime trupore, për çka edhe kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Lexo po ashtu Konfiskohen drogë dhe para në Prishtinë - arrestohet një person

Tutje në njoftim thuhet se gjatë kontrollit në trupin dhe veturën e të dyshuarit janë gjetur një sasi e dyshuar narkotike e mbeshtjellur në qese.

“ Ndërsa, pas zbatimit të urdhëresës për bastisje, e cila është bërë në dy lokacione, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, si dhe kontrollit në veturën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: 6 qese me narkotik të llojit marihuanë në peshë 5.4 gram, marihuanë në peshë 102.5 gram, 3.9 gram kokainë, një sasi e qeseve të zbrazëta, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe 282 € (para kesh)”, ka njoftuar Prokuroria.

I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit prokuroria do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore.

Ju njoftojmë se ky operacion është realizuar me sukses në saje të bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorit të Shtetit me Policinë e Kosovës.

Ndryshe lidhur me këtë rast edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar lidhur me arrestimin e të dyshuarit. /Telegrafi/

Exit mobile version