Telegrafi

Operacioni kundër lojërave të fatit në Shqipëri, 116 të arrestuar në flagrancë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se 1,985 shtetas janë kontrolluar në kuadër të operacionit kundër lojërave të fatit, operacion ky i shtrirë në gjithë vendin.

Rrumbullaku tha në një deklaratë për mediat se pas kontrolleve u goditën 181 raste, nga ku u proceduan 210 shtetas, 116 prej të cilëve u arrestuan në flagrancë.

Njoftim i plotë

Në vijim të megaoperacioneve, bazuar në inteligjencën policore dhe në denoncimet e qytetarëve, Policia e Shtetit hartoi një plan të detajuar masash, për goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, si dhe të rasteve të përshtatjes së lokaleve për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Në zbatim të planit operacional për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, në të gjithë vendin, ka vijuar megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Faza e parë u zhvillua nga data 25 nëntor deri më datë 30 nëntor, ndërsa faza e dytë u zhvillua nga data 1 dhjetor deri në mbrëmjen e datës 6 dhjetor.

Gjatë 2 fazave të këtij operacioni, u kontrolluan 1078 lokale dhe ambiente të tjera, në të cilat dyshohej se organizoheshin lojëra fati, nga të cilat në 253 u konstatuan paligjshmëri në këtë fushë, dhe gjithashtu u kontrolluan 1895 shtetas.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, u evidentuan dhe u goditën 181 raste, për të cilat u proceduan penalisht 210 shtetas, nga të cilët: 116 shtetas u arrestuan në flagrancë, 89 shtetas u proceduan në gjendje të lirë, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë. Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar 102 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 68 të tjerë.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan: 4 tavolina për lojen Poker, me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njesi kompjuterike, zara, 174 000 lekë, 20 434 euro dhe 11 360 paund që i shërbenin lojërave të fatit, si dhe sasi cannabisi, municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 automjet.

Në bashkëpunim me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale, dhe të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. /Telegrafi/