Site icon Telegrafi

Operacioni “këpuca e kuqe”!

Ky është një shkrim për Al Binin dhe Ha Shimin! Këta dy djem nga lagjja jonë, e quajtur Kosovë, e kanë marrë me të keq rivalitetin në mes të tyre, i cili tashmë ka eskaluar në polemika të ashpra dhe shpesh të sikletshme. E kanë marrë aq seriozisht sa po harrojnë për kë bëhet e gjithë loja e quajtur politikë. E, qytetarët po bëjnë sehir.

Këto ditë, derisa ata po grindeshin, policia po “skuqej”. Edhe Al Bini dhe Li Burni, për pak u “skuqën” kur hirushja me këpucë të kuqe, e zbathi këpucën në Parlament.

Krejt kjo tragjikomedi po ndodhë në lagje, përpara syve tanë. Se, Kosova si e dini edhe vet, është pak a shumë sa një lagje, apo më mirë me thënë sa një paralagje e një qyteti të madh. Por, dashuria dhe urrejtja jonë është e pafund. Nëpër hapësirë dhe nëpër histori!

Në këtë kolumne do të flasim gjithashtu për këpucën si instrument politik dhe për një rast të humbur për të hyrë në histori. Por, për këtë do të flasim më vonë, kur të vijmë te roli i këpucës në historinë tonë… se për historinë botërore tashmë dihet! Google i ka regjistruar të gjitha rastet! Kështu, qysh viteve të ‘60-ta, potencialin politik të këpucëve e kishte zbuluar lideri sovjetik Hrushqov, i cili e pat rrahur me këpucë tavolinën e kombeve të bashkuara, në New York!

Pra, këpucët kanë pasë rol të rëndësishëm në politikën botërore. Te ne, kryesisht, opingat! Në Google nuk gjeta asgjë për rolin e opingave në histori !

Por, këpuca, për të cilën do të flasim më vonë, dhe e cila ka mundur të hapë një epokë të re, në operacioni e koduar “këpuca e kuqe”, ishte me të vërtetë e kuqe! Jo vetëm politikisht, por edhe vizuelisht! Këtë e vërtetojnë edhe dëshmitarët okular. Pastaj edhe kamerat ishin aty…! Por, të kthehemi te Al Bini dhe Ha Shimi!

Al Bini, kështu snajperistët e qeverisë në rrjetet virtuale dhe media të printuara po e quajnë Albin Kurtin, prej se ka rënë dakord për lejimin e shamive nëpër shkolla të mesme për femrat prej moshës 16 vjeç. U ngutën pak se marrëveshja ende nuk është ratifikuar. Pritet të ratifikohet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Për të penguar ratifikimin, ministri Re Xhepi ndoshta do ta rrethojë Xhaminë e madhe me tanke! Nejse, me Jeep-a, se tanke nuk kemi! E Jeep-a qeveria ka boll: ta rrethon Ballkanin me ta, e lëre më Xhaminë e Madhe!

Por, Albini ende nuk e ka pranuar ftesën publike të hoxhë Krasniqit për me shku në Xhaminë e Madhe për me fal një vakt edhe kështu në mënyrë simbolike me e ratifiku edhe marrëveshjen, pasi këto punë, si dihet, në xhami nuk zgjidhen me vota. Kështu, krejt çka flasim mbetet hipotetike!

Përgjithësisht, Al Bini këto ditë ka pasë kokëçarje me Krasniqët. Bashkë me Li Burnin deshën me ia marrë mikrofonin edhe kryetarit të Parlamentit. Por, Ja Kupi, natyrisht nuk e dha mikrofonin! Pak para se me ja “keqpërdorë”, ai e deklaroi pauzën! Kështu u shpëtua situata. Se çfarë ndodhi pastaj, nuk e dimë se televizioni i partisë e ndërpreu transmetimin e drejtpërdrejtë. Kur u kthyen, çdo gjë dukej në rregull!

Kur u votua, Al Bini nuk dukej në sallë, e Ha Shimi po shkëlqente! Votimi u krye me unanimitet. Pozitë e opozitë! Delet e bardha votuan duke blegërirë njëzëri me një “BE” gati mazohiste dhe të përmallshme! E delet e zeza…! Le krejt…!

Nejse, para se të largohej me sigurim, Al Bini mbajti edhe një fjalim të pazakontë. Ai foli në shqip edhe me diplomatët e akredituar te ne. “Ju i njihni këta prapa meje”, u tha! “Mos e përkrahni Vetëvendosjen”, i luste ai, thuajse ata po vraponin për me e përkrahë. “Veç tregoni se kush janë këta kriminelë prapa meje”… po u lutej!

Kështu, përjashta Parlamenti po mbahej nën “rrethim”. Policia i arrestoi dhjetëra demonstrues, ndërkohë e la krejt pas dore përkujdesjen për diplomatët. Dorën në zemër, kjo tashmë po komentohet si një grackë e Ha Shimit për Al Binin, në të cilën ky i dyti ra me të dyja këmbët, si zakonisht. Policët, në vend se të përcjellin ambasadoren e SHBA-ve, dhe diplomatët e tjerë të ftuar në seancë, në derën kryesore të Parlamentit dhe të sigurojnë hyrjen e tyre aty, lejuan që diplomatja amerikane të futet për një derë anësore, me telashe të mëdha ! Diqysh si kontrabandë e jo sikur e ftuar! Këtë tollovi e shfrytëzuan edhe disa deputetë të pozitës për të u kontrabanduar përmes eskortës së saj. Kështu u bë edhe kuorumi.

Në këtë tollovi, ambasadorja amerikane u lëndua dhe për këtë të gjithë u ndiem keq, jo vetëm për plagën e cila kuptohej se ishte një gërvishtje e lehtë, por për ofendimin! Ndiheshim të ofenduar me lojën e qeverisë, ndërkohë që qeveria vet po fërkonte duart! E hëngrën, po mendonte! Faji do të bjerë mbi opozitën!

Ndërkohë, gjatë performancës në sallë, edhe Al Bini ishte në rrezik! Derisa spektakli po vazhdonte, në prapavijë deputetja militante e pozitës mbase po mendonte se si me hy në histori! Për pak hyri, por… e ndali veten. Çka me ba fikall e vetme, në histori, duhet të ketë menduar ajo? Më mirë po rri me shokë! Ne këndej e historia andej! Historinë tonë edhe ashtu po e shkruajnë të tjerët, Zoti e di ku mbesim?! S’ka lidhje, ne marshim edhe një mandat e krehim më vonë për qejfi!

Kështu pas këtij reflektimi këndellës, këpuca e saj e kuqe, e cila u zbath teatralisht, u rikthye në këmbën që i dridhej nga emocionet.

Nuk dihet a ishte ky operacion, vetiniciativë apo strategët e qeverisë e kishin menduar të dukej si i tillë. Por, nëse ka qenë i planifikuar mesazhi ka mundur të jetë pak a shumë ky: “Ne jemi paqësorë, se përndryshe ju kishim sosë me këpucë të kuqe”!

Por, jo! Personalisht besoj se ishte reagim krejt spontan, sepse shihej qartë se deputetja po grihej nga dilema, a me i ra a mos me i ra?! Po, me ba me e rrokë shefin? E la!

Kështu, për herë të parë dikush tentoi që këpucën ta përdorë si instrument politik. Këpucën e kuqe.

Kështu, derisa Al Bini po priste me ankth se mos policia po tregohej e butë dhe krejt performanca po prishej, Ha Shimi me deputetët e tjerë pro marrëveshjes po tmerroheshin nga ajo se çka mund të bënte deputetja e tyre militante, me këpucën e saj të kuqe. Kur e panë se ishte skuqur në fytyrë nga zemërimi dhe në dorë po e mbante këpucën… u ligën krejt!

Si duket, Ha Shimit padashur i ka shpëtuar klithma: “Qu Vl Orë, nale se…”!

Të tjerat janë histori… që po tregohen vesh më vesh nëpër kryeqytet!
 

Exit mobile version