Derisa shefi i shefit po hesht, spekulimet vazhdojnë. Ndërkohë që shefi i qeverisë me aktivitete të shumta po e shkapërderdh vëmendjen prej krejt asaj çka ka ndodhur këto ditë. Askush, madje as analistët më të fortë, përpos atyre që tashmë janë detektuar si “logjistikë” në çdo fushatë të qeverisë, nuk po e gjejnë një kuptim në krejt këtë çka ndodhi pas shkarkimit të kryepolicit kosovar dhe marrjen e (pa)përgjegjësisë nga shefi i qeverisë së Kosovës për situatën në veri të vendit.
Ndërkohë që shefi u shefit hesht, ambasadorja amerikane në Beograd, mohoi kategorikisht që administrata amerikane ka gisht, direkt apo indirekt, në këtë aksion, madje këtë e theksoi dy herë për të hequr çdo dilemë. Edhe Bashkimi Evropian e bëri këtë, duke lënë krejtësisht të habitur qytetarët e këtij vendi të cilët tashmë kishin dëgjuar dhe kishin dashur të besojnë deklaratat se çdo gjë është koordinuar edhe me faktorin ndërkombëtar.
Ajo çka duket e sigurt është se kur administrata amerikane, në këtë periudhë ishte në telashe të mëdha, ku rrezikohej edhe falimentimi i shtetit, çështja e Kosovës aktualisht duhet të ketë qenë një brengë në fund të prioriteteve të saj. Ndërkohë, në Kosovë, një qeveri tashmë e falimentuar pikërisht në këtë kohë po e krijonte një krizë, në fakt krizë pas krize, dhe po luante me zjarr për t’u mbajtur në pushtet derisa të kryejë misionin e vet “historik” duke shitur krejt çka mund të shitet, me gjysmë apo me çerek çmimi. Qytetarët e këtij vendi, të vetmit pronarë legjitim të kësaj pasurie, pas përfundimit të këtij licitacioni me gjasë do të mbeten me gishta në gojë dhe mbase vetëm pas liberalizimit të vizave do të “thyejnë qafën” ku të munden jashtë “pashallëkut” të Kosovës.
Përkrahja opozitare dhe e “faktorit ndërkombëtar”
Madje edhe opozita më kritike, duke shpresuar se ekziston një plan serioz për rikthimin në veri, i cili do të mirëpritej edhe nga qytetarët e këtij vendi, e hutuar fillimisht përkrahu aksionin. Madje edhe lideri i Vetëvendosjes, me krejt idealizmin e tij, ende dëshiron të besojë se ka ekzistuar një plan i tillë dhe se duhet insistuar në të. Por plan, sipas asaj që u pa, me gjasë nuk kishte, ose ishte një plan i punuar nga amatorët e zyrave partiake. Ndërkohë që krejt deklaratat e kryeqeveritarit ishin të dizajnuara asisoj që të linin përshtypjen se krejt është bërë në marrëveshje me faktorin ndërkombëtar. Ajo që tingëlloi edhe më çuditshëm ishte fakti që doli në publik se as qeveria e Kosovës, me përjashtim të disa ministrave, të mos ketë qenë në dijeni për krejt këtë.
Nga ndërkombëtarët, të vetmit që u deklaruan pozitivisht për aksionin, direkt ose indirekt, ishin “vëllezërit” nga Turqia dhe “fqinjët “nga Shqipëria, si do t’i cilësonte politika zyrtare.
Shefi i shefit hesht, ndërkohë që spekulimet vazhdojnë. E KFOR-i për here të parë pas një periudhe përparimi, po kërkon përforcime për të menaxhuar “pataten e nxehtë” qeveritare që i mbeti në dorë.
Pa protokoll
Ajo që do të duhej shqetësuar më së shumti qytetarët, pas këtij aksioni, nuk është fakti se ngjashëm me ngjarjet e vitit 2004, procesi po kthehet disa vite mbrapa, por fakti se ka rrënuar mundësitë e një operacioni të suksesshëm të tipit “Rrufeja”, për të cilin shpresohej të ishte ilaçi i fundit nëse krejt instrumentet tjera demokratike do të dështonin.
Edhe më keq, ajo që doli në pah ishte roli të cilin kryeministri e kishte menduar për njësitë special të Policisë së Kosovës. Ky në vizitën që u bëri atyre la të kuptohet se kjo nuk është detyra e vetme e tyre, dhe se rëndësia dhe roli i tyre do të rritej e zgjerohej. Sigurisht, nën komandën e tij të drejtpërdrejtë. Duke i përshëndetur ata dorë për dore sikur në odë, kryeministri kishte harruar fare protokollin dhe bashkë me të edhe presidenten e vendit, e cila duke u përpjekur të mbante hapin me të, po e vinte në pyetje dinjitetin presidencial dhe shijen e mire në paraqitje publike. Ndërkohë që lidhur me çështjen e imunitetit, topi po rikthehet nga kushtetuesja drejt parlamentit, kryeministri po e instalon demokracinë e drejtpërdrejtë fisnore?
Problemi kryesor i një qeveritari i cili mbahet në pushtet me kriza është se pasi t’i ketë rreshtuar në njërën anë, përballë vetes, krejt armiqtë realë, apo qoftë edhe imagjinarë, ai vet do të mbetet epiqendra e krizës. Problemi kryesor i një populli në situata të tilla është të mos bjerë në kurthet ideologjike dhe në klithma mitike për token dhe gjakun, por të shikojë rreth vetës me besim dhe vetëbesim.
Qytetarët e këtij vendi do të ndjehen të lire vetëm kur të kuptojnë përfundimisht se “lirinë nuk na e solli askush, por atë e gjeten midis nesh” … !