Ministri i Brendshëm, Taulant Balla vlerësoi sot operacionin antidrogë të Policisë së Lezhës.
“Çdo ditë, pranë çdo shkolle dhe në mjedise publike, Policia e Shtetit është vigjilente për të ndjekur këmba-këmbës dhe ndaluar keqbërësit dhe shpërndarësit e lëndëve narkotike. Në tentativë për të shpërndarë tek të rinjtë lëndë narkotike kokainë, një person është ndaluar nga Policia e Shtetit Lezhë dhe i janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm dozash”, shkruan Balla në një reagim në rrjetet sociale.
Policia e Lezhës arrestoi një 26-vjeçar që posedonte rreth 162 gramë lëndë narkotike kokainë, me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza në Shëngjin.
Në kuadër të operacionit antidrogë “Tempulli 2”, u vu në pranga shtetasi E. B., 26 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. B. iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një qese me rreth 162 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila dyshohet se ishte siguruar me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza në Shëngjin. /Telegrafi/