Telegrafi

Operacion i përbashkët i ekspertëve amerikanë dhe FSK-së për demolimin e mjeteve të pashpërthyera

Specialistët e Ekipeve për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera Eksplozive (EOD) të Kompanisë së Deminimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, në bashkëpunim me specialistët e Ekipit të EOD-së, nga kampi amerikan “Bondsteel”, kanë realizuar një operacion të përbashkët për shkatërrimin e mjeteve eksplozive të cilat janë gjetur nga ekipet e EOD-së, në rajone të ndryshme të Kosovës.

Në këtë operacion janë demoluar 16 mjete të kalibrave të ndryshëm të cilat kanë qenë rrezik permanent për jetën e qytetarëve.

Demolimet janë realizuar në fshatin Halilaq, të organizuar në dy cikle. Operacioni i demolimit ka shkuar sipas planifikimit dhe është realizuar me sukses.

Për të përcjellë nga afër këtë operacion, prezent ishte edhe komandanti i kampit “Bondsteel”, koloneli Macaraeg, koordinatori për Deminim nga “Film City”,  A. Cipri, zëvendës komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), nënkolonel Bajram Bekteshi, si dhe komandanti i Kompanisë së Deminimit, major Gëzim Sada.  /Telegrafi/