Gjashtë të ashtuquajturat “narco subs” të mbushura me kokainë u kapën në një operacion ndërkombëtar kundër drogës të udhëhequr nga Kolumbia, kanë njoftuar autoritetet në kombin e Amerikës Latine.
Bëhet e ditur se misioni, që përfshin 62 vende, sekuestroi më shumë se 1,400 tonë metrikë droge – kryesisht marihuanë – midis 1 tetorit dhe 14 nëntorit, sipas Orlando Enrique Grisales, shefi i shtabit të operacioneve detare për Marinën Kolumbiane.
Midis ngarkesave ishin 225 tonë metrikë kokainë, 5 tonë nga të cilat u gjetën në bordin e një anijeje që kalonte në një rrugë trafiku detar nga Kolumbia në Australi, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
“Anija, e kapur në ujërat e Paqësorit me karburant të mjaftueshëm për të arritur në Australi, është e treta e tillë e kapur”, tha Grisales.
“E para u zbulua në ujërat kolumbiane dhe falë hartave që mbante, ne identifikuam rrugën. Pikërisht atëherë filluam të punojmë me autoritetet australiane”, shtoi ai.
Ndërkohë, policia australiane ka paralajmëruar vitet e fundit se kartelet ndërkombëtare të drogës po synojnë gjithnjë e më shumë vendin, ku një rritje e përdorimit të kokainës së kombinuar me disa nga çmimet më të larta në botë ka nxitur një treg të paligjshëm fitimprurës.
Ndryshe, nuk është hera e parë që “narko subs” janë sekuestruar nga autoritetet.
Trafikantët filluan t’i përdorin anijet në fund të viteve 1990, ndërsa kartelet kolumbiane kërkonin mënyra për t’iu shmangur patrullave të zbatimit të ligjit në Detin Karaibe për të transportuar ngarkesën e tyre të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
Sekuestrimi i kokainës prej 225 tonësh është një ngarkesë e madhe.
Në një raport të këtij viti, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin vlerësoi se në vitin 2022, prodhimi global i kokainës arriti në 2700 tonë, një rekord i lartë. /Telegrafi/