Studioja portugeze e arkitekturës OODA ka zbuluar së fundmi dizajnin për “Hora Vertikale”, një kullë me një dizajn unik, e do të ridefinojë pamjen e Tiranës. Me një sipërfaqe prej 55,000 metrash katrorë mbi sipërfaqen e tokës dhe një lartësi të madhe prej 140 metrash, faza e parë e ndërtimit ka marrë dritën jeshile dhe është planifikuar të nisë pranverën e ardhshme.
E premtuar se do të jetë një projekt novator për kryeqytetin shqiptar, Hora Vertikale prezanton një fshat vertikal, ose ‘Hora’. Përtej strukturave të larta të banimit, një park i ri dhe një sërë shërbimesh do të jenë të hapura për banorët dhe vizitorët. Projekti zgjeron shtrirjen e tij për të angazhuar komunitetin lokal, duke parashikuar një fshat unik vertikal brenda një qyteti të gjelbëruar të gjerë.
Në përpjekjen e saj për të pasqyruar natyrën kaotike të Tiranës me Hora Vertikale, arkitektët në OODA vendosin një theks të fortë te qëndrueshmëria. Përdorimi i materialeve të siguruara brenda Shqipërisë jo vetëm që minimizon gjurmën e karbonit, por gjithashtu mbështet ekonominë lokale.
Dizajni integron elemente urbane dhe rurale, duke synuar t’i transformojë kullat në monumente ikonike.
I gjithë projekti është konceptuar duke përdorur shtatë lloje të ndryshme kubesh, ku secili përfshin shtatë kate – një lartësi mesatare karakteristike për shumicën e ndërtesave në Tiranë. Çdo kub mishëron një koncept unik që lidhet me artin. Faza fillestare e ndërtimit përbëhet nga trembëdhjetë kubë, secili me përmasa 22.5 metra x 22.5 metra në tre lartësi të ndryshme. Ky projektim i jep një profil më dinamik kompozimit, duke bërë që Hora Vertikale të shndërrohet në një pikë referimi në peizazhin arkitekturor të Tiranës. /Geek Room/