Kompozitori Boshnjaku akuzon “Onair” për shkelje të të drejtave të autorit kompaninë muzikore OnAir, kjo e fundit mohon akuzat, duke u shprehur e gatshme t’i përgjigjet drejtësisë.
Ka disa vjet që janë duke u bërë përpjekje të vazhdueshme për funksionimin e Ligjit për të Drejtat e Autorit në Kosovë, por edhe përkundër kësaj, krijuesit vazhdojnë të hasin në mospërfillje të këtij ligji, mosrespektim të të drejtave të autorit dhe plagjiaturë.
Rasti i fundit ka të bëjë me kompozitorin Florent Boshnjaku, i cili në mëngjesin e së martës ka bërë publike se ka paditur kompaninë muzikore “OnAir Music” për shkelje të së drejtës autoriale.
Bëhet fjalë për këngën “Afitap” të këngëtares turke Sila, një ripërpunim i këngës “Nuk mundem”, e cila para 12 vjetësh është kënduar nga këngëtarja kosovare Nora Istrefi. Boshnjaku, nëpërmes një postimi të gjatë në rrjetin social “Facebook”, akuzon kompaninë “OnAir Musics” për keqpërdorim, siç është shprehur ai, në maksimum jo vetëm të licencimit, por edhe në përfitim të të drejtës së autorit.
Por, ndryshe deklarojnë zyrtarë të kompanisë në fjalë, të cilët thonë për emisionin Express të KTV-së se nëpërmes këtij postimi kanë kuptuar se ndaj tyre është ngritur padi.
“Këngëtarja e njohur turke Sila ka publikuar para 4 ditëve këngën më të re ‘Afitap’, si singel që i paraprin albumit të saj. Muzika e kësaj kënge është e punuar nga unë dhe është publikuar nga Sony Music Turke”, ka shkruar Boshnjaku, emri i të cilit figuron në këtë këngë si autor i muzikës, për të cilën ai thotë të jetë një nder i madh dhe një gjurmë në rrugëtimin e tij muzikor.