Telegrafi

OMONIA bojkoton festimet për “Vorio Epirin”

Ultra-nacionalistët grekë janë ankuar për mos marrjen pjesë të OMONIA-s në festimet, që u organizuan me rastin e 100-vjetorit të ditës së shpalljes së autonomisë së "Vorio Epirit" nga Shqipëria.

Këtë e kanë bërë të ditur vetë nacionalistët të shoqatës SFEVA, të cilët në faqen e tyre në internet janë ankuar për këtë mungesë të drejtuesve të OMONIA-s.

“Fatkeqësisht në këtë përkujtimore nuk kanë marrë pjesë asnjë prej drejtuesve të OMONIA-s, por edhe pjesë të tjera të kësaj organizate”, shkruhet tek faqja zyrtare e SFEVA. Festimet u mbajtën më 10 maj, ku drejtues të organizatave ekstremiste të Greqisë vërshuan në Derviçan për të festuar shpalljen e pavarësisë së "Vorio Epirit".

Ekstremistët në objektin e komunës së Dropullit të Sipërm ngritën përmendoren që përkujton datën, kur ushtria greke gjatë Luftës së Parë Botërore shpalli “Qeverinë e Përkohshme të Vorio Epirit”. Gjithsesi, shumica e popullsisë së minoritetit grek bojkotoi aktivitetin të organizuar nga shtetasit grekë të ardhur nga Athina dhe Selaniku me autobus.

Duket se ultra-nacionalistët grekë kanë marrë zemër nga mosveprimi i organeve të shtetit shqiptar që i kanë lejuar të festojnë krijimin e një organi që kërkonte copëzimin e Shqipërisë, sepse kjo ka qenë hera e dytë që kanë bërë diçka të tillë.

“Është hera e parë që këtë vit arrijmë të organizojmë një eveniment të tillë brenda në "Vorio Epirin" e përgjakur. Kjo na jep shpresë se me ndihmën e Zotit, lufta jonë në fund do të fitohet”, shkruajnë në faqen e tyre utra-nacionalistët grekë. /Shekulli/