Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës paralajmëroi të hënën se territori po sheh një përhapje të shpejtë të variantit Omicron të COVID-19 që mund të dërrmojë shërbimet shëndetësore atje.
“Ka shqetësime të thella dhe frikë se Rripi i Gazës do të dëshmojë në javët e ardhshme një valë të fortë dhe të pakontrolluar të variantit Omicron”, tha zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë, Majdi Dhair.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ai tha se disa raste të identifikuara së fundmi “nuk ishin në mesin e udhëtarëve që ktheheshin nga jashtë”, që do të thotë se Omicroni tashmë po përhapet në komunitete dhe ka raste të mundshme për të cilat ministria nuk di.
“Ne kemi frikë se po përballemi me një përhapje të shpejtë të sëmundjes që do të jetë gjithashtu shumë e dhunshme dhe do të rrisë numrin e pacientëve që kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor”, tha Dhair, duke shtuar se ministria në Gaza “nuk do të mund ta përballojë atë.”
Të dielën, Dhair i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të bëjë presion ndaj Izraelit që të lejojë më shumë pajisje mjekësore në Rripin e Gazës, duke përfshirë ventilatorë dhe oksigjen. /Telegrafi/