Telegrafi

Olters: Bankat kanë 650 milionë euro të lira për bizneset

Shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, tha në trajnimin me gazetarë të Organizatës `Stras ` se 25 për qind të depozitave, apo rreth 650 milionë euro para të qytetarëve janë të lira. Bankat, sipas tij, nuk janë duke i përdorur dhe këto po krijojnë humbje.

Këtë deklaratë, shefi i Bankës Botërore e dha në trajnimin dy ditorë që është duke e organizuar OJQ “Stras”, kryetar i së cilës është eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, me gazetarë të ekonomisë të mediave në Kosovë.

Në trajnimin që do të zgjasë dy ditë, pritet të ligjërojnë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, drejtorë të bankave komerciale, Shoqata e Bankave të Kosovës. etj.

“Depozitat mund të financojnë të gjithë kreditë, pasi sektori bankar ka një likuiditet të mirë. Rreth 25 për qind të depozitave janë duke ndenjur dhe bankat humbin përfitimet, sepse këto para janë potencial i mirë për përfitim. Sektori financiar në Kosovë është shumë i hapur për të gjetur mundësitë shtesë për të financuar investimet që kanë një potencial”, tha Shefi i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters.

Aktualisht, depozitat e qytetarëve janë rreth 2.6 miliardë euro, kredit janë rreth 1.9 miliard euro, ndërsa para të lira janë rreth 650 milionë euro.

“Nuk besoj që është fakti që biznesi nuk ka kërkesë. Kemi disa faktorë të rreziqeve mikro që kanë krijuara këtë klimë. Është gjithashtu sfida e bankave për zbatimin e kolateraleve, pasi bankat kanë vështirësi dhe ju duhet të luftojnë për të zbatuar atë. Por realisht, ka mungesë të projekteve cilësore nga ana e bizneseve”, tha tutje Olters.

Gjithsesi, sipas tij, Bankat e Kosovës u menaxhuan me kujdes gjatë krizës globale pas vitit 2008, me një rritje gjithmonë pozitive të depozitave dhe kredive.

Nga ana tjetër, drejtori i Procredit Bank, Ilir Aliu, tha se mjetet e lira prej 650 milionë janë duke i kushtuar bankave, pasi mbajtja e tyre ka një kosto, megjithëse bazuar në këto statistika, sistemi bankar në Kosovë, nuk ka nevojë të huazojë parë nga jashtë.

“Ne jemi të lumtur kohëve të fundit nëse vendosim t’i ruajmë paratë më zero interes në bankat perëndimore. Në shumicën e rasteve jemi të detyruar për të paguar që ti mbajmë këto para të sigurta”, tha Ilir Aliu, drejtor i Procredit Bank. Sipas tij, ka disa probleme në sektorin privat si informaliteti i lartë apo mbingarkimi i investimeve në një sektorë.

“Mund të marrim si shembull investimet e mëdha që janë bërë në hotele. Kemi mbi 400 hotele ndërkohë që ne nuk jemi vend turistik”, tha tutje drejtori i Procredit Bank, Ilir Aliu.

Ai ka bërë një rezyme të sistemin bankar, depozitat, kreditë, bankomatët, kreditkartelat… /Telegrafi/