Kreu i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, deklaroi se “me një zhargon që nuk i takon kryeqytetasit të Tiranës, Erion Veliaj ka sulmuar sërish institucionin e Presidentit të Republikës”.
“Për ne, është e qartë ai tashmë është shndërruar në një kamikaz të Edi Ramës”, tha Olli.
Kreu i këshilltarëve demokratë shtoi se Veliaj është “një element antishtet”: “Tentativa e tij për intimidimin dhe krijimin e këtij rasti të paprecedentë ka një prapavijë, është një prapavijë politike. Kërcënimi i hapur që bëri se ai do të përndjekë çdo gjyqtar, apo çdo punonjës të institucioneve të tjera shtetërore, të cilët dalin kundër dëshirave apo tekave dhe trilleve të tij personale, është shenja më e mirë që kemi të bëjmë me një element antishtet, antiligj, antisistem. Ai po përpiqet të intimidojë sistemin e drejtësisë për të mbuluar skandalet që pasojnë njëri-tjetrin dhe aferat e tij korruptive. E ka të kotë. Do të përgjigjet deri më një përpara drejtësisë për të gjitha shkeljet. Si për tenderët, ashtu edhe për veprat e tjera të shpërdorimit të detyrës duke filluar që nga Liqeni, konçensionet dhe të gjitha të tjerat”. /Telegrafi/