Frikë dhe terror gjatë mëngjesit të sotëm në Rio de Zhaneiro, kur një autobus që transportonte gazetarët nga një event sportiv në tjetrin, mes zonave të Parkut Olimpik, është goditur me gurë.
Madje ka nga ata që mendojnë se autobusi ku ishin rreth 20 gazetarë është qëlluar me armë zjarri, çka ka sjellë edhe plagosjen e dy personave. “Dëgjuam goditje të forta në anën e djathtë të autobusit. Dy dritare u shkatërruan totalisht”, thanë dëshmitarët..
“Një gazetar nga Bjellorusia u plagos në dorë. Ishim konfuzë dhe nuk arrinim të kuptonim nëse po na qëllonin me armë apo me gurë”, ka qenë komenti i gazetarit të AFP-së që ndodhej në autobus, Gaston Sainz.
Fillimisht u raportua për një gazetar të plagosur, por më pas numri i tyre shkoi në dy. Incidenti ndodhi rreth orës 20:00 me orën e Rios (ora 02:00 me Shqipërinë), ndërkohë që autobusi po kalonte një zonë që quhet Cidade de Deus, që shpesh dallohet për probleme të dhunës. Gazetarët ishin duke shkuar në qendrën e shtypit në Barra de Tijuca.