Boris Kalnoky
Prej javësh protestojnë qindra mijëra çekë kundër kryeministrit të tyre, Andrej Babis. Ai është edhe një nga njerëzit më të pasur të vendit. Por, si u bë i pasur Babis?
Që në kohën e komunizmit, si anëtar partie, ai ka qenë menaxher i firmës shtetërore çekosllovake për tregtinë e jashtme – Petrimex. Me këshillën e tij, Petrimex krijoi një sipërmarrje të re, Agrofert, që u ble pastaj nga investitorë zviceranë jo me nam të mirë, miq të vjetër si i ka quajtur Babis. Shumë shpejt Babis u bë pronari i vetëm i firmës. Ai bleu mediat dhe u fut në politikë. Tani Babisin e shoqërojnë akuzat për mashtrim fiskal, dyshim për mashtrim me subvencionet dhe për mospërdorimin e drejtë të fondeve të BE-së në kohën që ishte ministër Financash dhe kryeministër. Prokuroria çeke është duke hetuar nga fillimi i qershorit.
Andrej Babis mishëron mënyrën se si bëhet politikë në Evropën Lindore dhe Juglindore. Paraja është pushtet; kush ka para dëshiron pushtet dhe kush ka pushtet e di që për ta siguruar atë i duhet paratë. Për shembull duke blerë media. Pas rënies së sistemit komunist, më shpejt e më mirë e kuptuan këtë komunistët që ndryshuan pllakën. Pasuria shtetërore dhe partiake, përmes rrugëve të dyshimta u bë pronë private; të pasurit e rinj ishin komunistët e vjetër dhe ata përdorën këto para për të qëndruar në pushtet me vite – si në Rumani apo Bullgari.
Partitë e reja që u ngjitën në pushtet pas tyre, dhe që e përcaktonin veten si konservatore qytetare, (si partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban) e mësuan shpejt se si bëhen punët. Edhe ato pastaj krijuan oligarkët e tyre, duke u dhënë tenderë shtetërorë besnikëve të tyre – duke u dhënë edhe shije me erëzat e subvencioneve të BE-së.
Ne në Hungari kemi oligarkët tanë. Në gjuhën e popullit njëri prej tyre quhej “instalatori kombëtar i gazit”, Lorinz Meszaros. Më parë ai kishte një firmë që riparonte vetëm tubacionet e gazit. Meszaros ishte mik i vjetër i Orbanit. Sot ai është si Babisi, njeriu i dytë më i pasur në Hungari. Por, ka një dallim me Babisin. Çeku e ushtron pushtetin e tij; Meszaros nuk ka pushtet dhe e di vendin që duhet të mbajë falë Viktor Orbanit. Miku i tij i fëmijërisë, Lajos Simiscska u përpoq njëherë: ka qenë njeriu që i ofronte para partisë, derisa u përplas me Orbanin. Tani askush nuk dëgjon më për Simiscskan. Gjithsesi: tek ne në Hungari nuk e përcaktojnë oligarkët politikën, por politika përcakton oligarkët.
Një nga rrënjët e së keqes oligarkike janë edhe fondet e ashtuquajtura “fonde të kohezionit të BE-së” (fond i krijuar nga BE për zgjerimin e infrastrukturës rrugore dhe mbrojtjen e mjedisit në vendet më të dobëta ekonomikisht të BE, shën. red.) Ideja bazë e Brukselit ishte që përmes këtyre fondeve të afrohej niveli ekonomik i vendeve më të varfra të BE-së me ato më të pasura, prandaj është edhe fjala “kohezion”. Me këtë konvergjencë do të duhej të kishte edhe afrim vlerash: Demokraci, treg i lirë, ekonomi e shtet ligjor.
Në vendet e Evropës Qendrore e Lindore kjo është parë më me vëmendje dhe është arritur në përfundimin se një pjesë e madhe e këtyre mjeteve, që shpesh jepen për projekte infrastrukturore, në fund rrjedhin prapë tek koncernet e mëdha evropianoperëndimore që kanë kapacitetet teknike e konkurruese për të fituar këto konkurrime publike. Pra, pjesërisht është një para që vetëm në fillim shkon drejt Lindjes, por dikur rikthehet në Perëndim.
Në këtë kuptim, epidemia e oligarkëve evropianoqendrorë është në një kuptim edhe një përpjekje për t’i mbajtur këto fonde në vend. Për shembull në Hungari u mbështetën hapur, me qëllim, biznesmenë politikisht besnikë që të forcoheshin si afaristë duke marrë në mënyrë joproporcionale porosi shtetërore. Orbani flet për “neomerkantilizëm” – kjo ka qenë një fazë ekonomike në historinë evropiane, në të cilën u ngritën industritë vendase me masa proteksioniste. Nëse do doje ta quaje kështu, ky është një lloj “korrupsioni patriotik”.
Personalisht nuk e vlerësoj, dhe nuk besoj, se në plan afatgjatë kjo i shërben një ekonomie konkurruese; nëse energjitë përqendrohen në marrjen e subvencioneve. BE vetë duket se ndërkohë ka kuptuar se e gjithë ideja e konvergjencës së vlerave nuk funksionon (në buxhetin e ri të BE-së, vendet më të varfra nuk do të subvencionohen në këtë formë, por vetëm ato “korrekte politikisht”, pra kush pranon refugjatë).
Le ta mbyllim rubinetin e fondeve të BE-së. Ky është një mjet që e bën Brukselin më të rëndësishëm sesa duhet të jetë dhe i dobëson strukturat ekonomike dhe politike në shumë vende anëtare. Ne në Evropën Lindore gati jemi bashkangjitur me Perëndimin edhe falë këtyre fondeve. Por, ka ardhur koha që ta presim këtë kordon lidhës. Koha për të zhvilluar një kulturë sipërmarrjesh që shpërblen idetë inovative dhe guximin, e jo etjen për pushtet dhe besnikërinë politike.