Oklahoma City Thunder ka vazhduar serinë e fitoreve edhe në finalen e “Play Off” në Konferencën e Perëndimit duke mposhtur kampionin aktual, Golden State Warriors.
Thunder triumfuan kundër Warriors 108:102 në ndeshjen e parë të serisë finale, e cila njëherazi është edhe humbja e parë këtë sezon në shtëpi e Golden State në NBA.
Warriors shkëlqyen në pjesën më të madhe të ndeshjes, ku deri në çerekun e tretë kishte një epërsi prej 14 pikëve, por Kevin Durant dhe Russell Westbrook udhëhoqën ekipin drejt fitores në “Oracle Arena”.
Kevin Durant përfundoi takimin me 26 pikë, përfshirë edhe pikët vendimtare në 30 sekonda e fundit. Russell Westbrook shfaqi një lojë të shkëlqyer në pjesën e dytë, ku shënoi 24 nga 27 pikët e tij duke regjistruar edhe 12 asistime dhe 7 topa të vjedhur, raporton Telegrafi.
Basketbollisti më i vlefshëm (MVP) i ligës më të fortë të basketbollit në botë, Stephen Curry shënoi 26 pikë për Golden State, ku arriti edhe një rekord personal prej 10 kërcimesh në “Play Off”.
Vlen të theksohet se Golden Statet nuk i mjaftuan as 25 pikët e Klay Thompsonit.
Kujtojmë se takimi i dytë mes këtyre dy ekipeve do të zhvillohet sërish në “Oracle Arena” në natën në mes të mërkurës dhe të enjtes, ndërsa më pas seria bartet në qytetin e Oklahomas. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=5RN9_JiplMw