Shtetet anëtare në Kombet e Bashkuara janë pajtuar për të zvogëluar buxhetin vjetor për misionet paqeruajtëse, kanë njoftuar burime diplomatike për agjencinë e lajmeve AFP.
Agjencia ka raportuar se shuma prej 6.689 miliardë dollarësh është për 122 milionë dollarë më e vogël se shuma e rekomanduar në fillim dhe rreth 600 milionë dollarë më e vogël se shuma e ndarë vitin e kaluar dhe se buxheti pritet të miratohet zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme më 2 korrik.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë kontribueset kryesore në buxhetin e vitit të kaluar me 28.5 për qind të fondit, të përcjellura nga Kina me 10.3 për qind dhe Japonia me 9.7 për qind, përcjell REL.
Në muajin mars, ambasadorja amerikane në këtë organizatë, Nikki Haley, ka thënë se Uashingtoni është duke planifikuar zvogëlimin e fondit, duke iu bërë thirrje shteteve tjera për ndarje të shumave më të mëdha.
OKB-ja ka rreth 100 mijë paqeruajtës të angazhuar në 14 misione në botë. /Telegrafi/