Site icon Telegrafi

OKB vlerëson menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është takuar sot me Grete Faremo, nënsekretare e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njëherit edhe drejtore ekzekutive e UNOPS-it (Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve) me të cilën kanë biseduar për progresin e gjithmbarshëm në Kosovë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në takimin e sotëm është biseduar edhe për reformat e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik si dhe arritjet në kuadër të integrimeve euroatlantike, fillimin e zbatimit të marrëveshjes së parë me Bashkimin Evropian, MSA-në, vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Tahiri e Faremo biseduan poashtu për intensifikimin e marrëdhënieve të Kosovës me OKB-në.

Ministrja Tahiri në këtë takim e vlerësoi lartë rolin e UNOPS-it në Kosovë, i cili është përzgjedhur nga ana e Bashkimit Evropian si partner implementues për ndërtimin e të gjashtë pikë-kalimeve të përhershme kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, derivuar nga marrëveshja për IBM-në e nënshkruar në dialogun teknik të Brukselit, përmes të cilit, sipas ministres Tahiri, është vendosur kufiri në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Ajo shtoi se ndërtimi i këtyre pikë-kalimeve të përhershme kufitare do të avancojë bashkëpunimin ndër-fqinjësor, do të mundësohet kontroll më i mirë kufitar dhe do të avancojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave.

Ndërsa, Faremo e falënderoi ministren Tahiri për bashkëpunimin dhe tha se modeli i IBM-së që po zbatohet në mes të Kosovës dhe Serbisë vlerësohet lartë nga OKB, poashtu ajo tha se e çmojnë rolin e Kosovës në zbatimin e kësaj marrëveshje në të gjitha fazat.

Ajo shtoi se ky projekt është shumë i rëndësishëm për UNOPS-in ngase përfshinë një komponentë shumë të rëndësishme që është lehtësimi i jetës së qytetarëve dhe promovimi i rezultateve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Më pas ministrja Tahiri së bashku me nënsekretaren Faremo dhe ndërmjetësin e Bashkimit Evropian për çështjen e IBM-së z. Bernd Thran e vizituan pikë-kalimin kufitar Merdare, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Faremo, e cila para kësaj detyre ka mbajtur postin e ministres së Drejtësisë dhe Sigurisë Publike në Qeverinë e Norvegjisë, tha është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi në mes të organeve të sundimit të ligjit dhe menaxhimi i integruar i kufirit.

Ajo përmendi përvojat e mira që Norvegjia i ka me Rusinë në kuadër të një modeli unik, të cilin e zbatojnë që shumë vite. /Telegrafi/

Exit mobile version