Telegrafi

OKB vendos dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në Jemen

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) miratoi projekt-rezolutën e cila mbështet armëpushimin në qytetin-port të rëndësishëm Hudejde të Jemenit si dhe dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë lidhur me armëpushimin në rajon.

Në një votim në KS-OKB me shumicë votash u miratua projekt-rezoluta e propozuar nga Britania e Madhe një nga anëtaret e përhershme e cila mbështet “vendimin për armëpushim në Hudejde” të arritur në bisedimet e zhvilluara në Stockholm të Suedisë mes Qeverisë së Jemenit dhe rebelëve Huthi dhe i cili parashikon dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në rajon.

Në vendim kërkohet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, krijimi i një mekanizmi për kontrollin e armëpushimit në Hudejde dhe përreth tij si dhe dërgimin fillimisht të vëzhguesve ndërkombëtarë për 30 ditë në rajon.

Vendimi kërkon që vëzhguesit ndërkombëtarë të vendosen në qytetin Hudejde dhe përreth portit brenda 21 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Po ashtu vendimi bën thirrje për heqjen e të gjitha pengesave burokratike për hyrjen në vend të ndihmave humanitare dhe mallrave tregtare, përfshirë edhe naftën e Qeverisë së Jemenit dhe rebelëve Huthi si dhe për vendosjen në zbatim të marrëveshjes për këmbimin e të burgosurve.

Në kuadër të këtij miratimi kërkohet nga Guterres që t’i paraqesë KS-OKB-së raporte javore në lidhje me zbatueshmërinë e rezolutës. /Telegrafi/