Telegrafi

OKB: Të ndërpritet vuajtja e civilëve në Jemen

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) u bënë thirrje palëve ndërluftuese në Jemen, koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe rebelëve Huthi me vendet që u ofrojnë mbështetje me armë, që të ndërmarrin urgjentisht hapa konkretë për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve në vend.

Komisarja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, dërgoi një deklaratë me shkrim me rastin e përleshjeve të fundit në qytetin Al Hudaydah të Jemenit, duke thënë se kanë shkaktuar viktima civile.

“Koalicioni, i kryesuar nga Arabia Saudite dhe forcat Huthi, me vendet që i mbështesin me armë, kanë fuqi apo ndikim për të ndaluar urinë dhe vrasjen e civilëve dhe në këtë mënyrë të sigurojë paqe për popullin e Jemenit”, tha Bachelet.

Duke iu referuar të dhënave të Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Bachelet ritheksoi se në Al Hudaydah, Sad dhe Sana, nga 31 tetori deri më 6 nëntor janë kryer të paktën 110 sulme ajrore, dhe se ato janë duke u intensifikuar.

Ajo tha se avionët e forcave të koalicionit fluturuan mjaft ulët. Sipas saj, forcat Huthi kanë përdorur raketa anti-ajrore dhe mortaja ndërsa në Al Hudaydah kanë vazhduar përleshjet në rrugë. /Telegrafi/