Site icon Telegrafi

OKB: Së paku 7,000 të arrestuar në protestat në Iran, ka informacione për së paku 208 të vrarë

Kombet e Bashkuara thanë të premten se së paku 7,000 njerëz raportohet të jenë arrestuar në Iran, gjatë protestave masive të muajit të kaluar.

Zyra për të Drejta të Njeriut e OKB-së tha po ashtu se ka siguruar “video të verifikuara” që i tregojnë forcat e sigurisë duke qëlluar me armë në drejtim të protestuesve.

Zyra e OKB-së shtoi se ka informacione që sugjerojnë për së paku 208 njerëz të vrarë, përcjell rel.

“Ka gjithashtu raporte, që Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut deri më tani nuk ka mundur t’i verifikojë, por që sugjerojnë se numri i të vrarëve është dyfish më i lartë”, thuhet në deklaratën e lëshuar të premten.

Komisionarja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se videot e siguruara nga zyra e saj tregojnë se “kundër protestuesve është përdorur dhunë e rëndë”.

Protestat në Iran kanë nisur më 15 nëntor, pas një rritjeje të papritur të çmimeve të naftës, dhe kanë zgjatur disa ditë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha të enjten se mbi 1,000 njerëz mund të jenë vrarë gjatë trazirave atje.

Autoritetet iraniane nuk kanë dalë me ndonjë numër zyrtar të njerëzve të vdekur.

Exit mobile version