Site icon Telegrafi

OKB planifikon zhvarrosjen e trupave të viktimave nga armët kimike në Siri

Mediat janë duke raportuar se inspektorët globalë të armëve kimike do të marrin një hap të pashembullt të zhvarrosjes së disa trupave të viktimave që kanë vdekur në Duma, për të zbuluar më shumë teksa hetojnë sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri.

Shefi i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Ahmet Uzumcu, ka thënë për Financial Times më 3 maj se organizata në fjalë, gjatë procesit të hetimit ka mbledhur 100 “gjurmë ambientale” prej kur ka fituar qasje në Duma.

Misioni i këtij grupi në Duma është iniciuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, pasi pamjet e 7 prillit kanë tmerruar botën.

Ky incident ka shkaktuar nisjen e sulmeve ajrore nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, drejt lokacioneve të dyshuara të armëve kimike nën udhëheqjen e Qeverisë siriane.

Mjekët dhe shpëtimtarët kanë thënë që më shumë se 40 persona janë vrarë në atë që besohet të ketë qenë kombinim i gazit të klorit dhe atij sarin.

Uzumcu ka thënë se grupi i tij është duke kërkuar që të verifikojë këto pretendime duke marrë mostra nga trupat e zhvarrosur.

“Është proces shumë i ndjeshëm. Për këtë arsye jemi shumë të kujdesshëm. Ndonëse ekspertët tanë kanë kryer disa autopsi në të kaluarën, do të jetë hera e parë që zhvarrosim trupa”, ka thënë ai për The Times.

Uzumcu ka thënë se kërkimi do të vazhdojë për një muaj derisa të publikohet raporti për Duman.

Siç transmeton Rel, hetimet janë vonuar disa herë për shkak të bllokimit të qasjes në Duma nga Qeveria siriane.

Mirëpo ekspertët kanë thënë se nëse janë përdorur armë kimike, gjurmët mund të identifikohen ende në ambient dhe në trupat e viktimave.

Damasku dhe Moska kanë akuzuar grupin e shpëtimit, Helmetat e Bardha për krijim të filmimeve me urdhër të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Exit mobile version