Site icon Telegrafi

OKB: Në prill u realizua furnizimi i dytë me vaksina nga COVAX në Shqipëri

Sipas të dhënave nga OKB, Shqipëria ka marrë nga COVAX këtë muaj furnizimin e dytë me vaksina.

“Më shumë se 430 mijë vetë janë vaksinuar në Shqipëri që nga janari e deri tani”, tha  të enjten Fahran Haq, zëvendës-zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm.

Shqipëria do të marrë sasinë e mjaftueshme nga COVAX-i për të vaksinuar 20 përqind të popullsisë deri në fund të këtij viti, tha Haq në konferencën e përditshme të shtypit.

COVAX është partnere me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Komisionin Europian. COVAX ka marrë përsipër të furnizojë gjatë këtij viti 2 miliardë vaksina në botë dhe të sigurojë nga donatorët 1,8 miliardë doza të tjer vaksinash. COVAX ka dërguar deri tani vaksina në 100 vende të botës.

Haq tha se ekipi i OKB-së në Shqipëri ka ndihmuar në fushatat bindëse për të nxitur vaksinimin dhe parandaluar përhapjen e COVID-19. Kurse Organizata Botërore e Punës, (ILO) ka mbështetur gratë që janë prekur nga pandemia duke ndihmuar për shembull me para gratë që kanë humbur punën në industrinë e tekstilit.

Fondi për fëmijët i organizatës, UNICEF, ka dhënë mbështetje në sektorin e edukimit duke ndihmuar me platformat online për fëmijët në nevojë. Kurse agjencia për refugjatët, UNHCR ka ndihmuar me ushqime dhe konsultime bashkë me refugjatët edhe të tjerët. /DW/Telegrafi/

Exit mobile version