Këshilli i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut ka miratuar Rezolutën mbi Gutën Lindore pas heqjes dorë nga draft-rezoluta e fundit e thirrjes për llogaridhënien e ‘krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit’.
Rezoluta, e miratuar me 29 vota në favor, 4 kundër dhe 14 abstenime, kërkoi zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të të paktën 30-ditëve të marrëveshjes së armëpushimit në Siri, llogaridhënie për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht dënoi mohimin e vazhdueshëm të qasjes humanitare në Gutën Lindore.
Kina, Kuba, Venezuela dhe Burundi votuan kundër rezolutës në këtë këshill të OKB-së, i cili përbëhet nga 47 shtete anëtare.
Guta Lindore, që ndodhet në periferi të Damaskut, është nën rrethim për pesë vitet e fundit dhe qasja humanitare në këtë zonë, që është shtëpi e 400 mijë banorëve, është ndërprerë plotësisht.
Në tetë muajt e fundit, forcat e regjimit sirian Bashar al-Assad kanë intensifikuar rrethimin e tyre të Gutës Lindore, duke e bërë pothuajse të pamundur që ushqimet dhe ilaçet të hyjnë në lagje dhe duke lënë mijëra pacientë në nevojë pa trajtim, shkruan AA.
Më 24 shkurt, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim 30-ditor pa vonesë në Siri.
Rezoluta e sotme dënoi sulmet e përsëritura në objektet mjekësore dhe në infrastrukturën civile, përfshirë përdorimin e armëve të rënda dhe bombardimet ajrore mbi civilët, si dhe përdorimin e supozuar të armëve kimike në Gutën Lindore.
Ajo po ashtu ripohoi angazhimin e saj të fuqishëm ndaj sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Sirisë. /Telegrafi/