Site icon Telegrafi

OKB kritika Francës për ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla

Franca shkeli një traktat ndërkombëtar të të drejtave të njeriut kur ndaloi një grua të mbulohej gjersa ajo vijonte mësimin në një shkollë, ka vendosur një komitet i Kombeve të Bashkuara.

Masa shkeli Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, njoftoi Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, raporton alarabiya.

Vendimi i saj vjen pas një ankese të paraqitur në vitin 2016 nga një shtetase franceze e lindur në vitin 1977, avokati i së cilës nuk dëshiron që emri i saj të publikohet.

Gruaja ishte në një kurs trajnimi profesional për të rritur në vitin 2010 dhe kishte kaluar një intervistë dhe test pranues.

Por drejtoresha e shkollës së mesme, Langevin Wallon në periferinë juglindore të Parisit refuzoi ta linte të hynte për shkak të ndalimit të veshjes fetare në institucionet arsimore publike.

Komiteti i OKB-së tha se “ndalimi që iu bë asaj që të marrë pjesë në kurs për shkak të shamisë përbën një kufizim të lirisë së saj fetare dhe është në kundërshtim me traktatin”.

Ky vendim i komitetit ishte miratuar në mars, por vetëm më 3 gusht iu dorëzua avokatit të ankueses.

“Ky është një vendim i rëndësishëm që tregon se Franca ka punë për të bërë në drejtim të të drejtave të njeriut, gjegjësisht në çështjen e respektimit të pakicave fetare, dhe veçanërisht të komunitetit mysliman”, tha avokati i saj, Sefen Guez Guez për AFP. /Telegrafi/

Exit mobile version