Site icon Telegrafi

OKB jep alarmin: Priten sulme terroriste nga ISIS-i

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron një valë sulmesh terroriste brenda fundit të vitit.

Në një raport të përpiluar nga Këshilli i Sigurimit, specialistët theksojnë se lëvizjet ekstremiste islamiste vijojnë të përbëjnë një kërcënim serioz në botë.

Autorët ngrenë shqetësimin për rreth 30 mijë luftëtarë që nga viti 2004 i janë bashkuar kalifatit të ISIS, al-Kaedës apo grupeve të ngjashme.

Mendohet se rreth 2 mijë ekstremistë kanë mundur të rikthehen vetëm në Europë, ku po ndikojnë në radikalizimin e personave të varfër, te të burgosurit, të përbuzurit ose të nënvlerësuarit nga shoqëria.

Në raport përmendet edhe rasti i kthimit të mbi 100 shqiptarëve të Kosovës nga Siria në muajin prill, mes të cilëve 32 gra dhe 74 fëmijë familjarë të luftëraëve, raportojnë mediat.

Ndërkohë, mësohet se nuk kanë qenë të suksesshme programet e çradikalizimit të personave që janë kapur teksa luftonin për grupet xhihadiste.

Shumë prej tyre vuajnë dënime të gjata me burg dhe mbeten një rrezik për sistemin penal dhe tërë shoqërinë nëse lirohen.

Edhe pse sulmet ekstremiste janë pakësuar që nga vitet 2015 dhe 2016, kur në vende si Franca, Belgjika dhe Gjermania u shënuan me qindra viktima, kontinenti i vjetër mbetet i kërcënuar, sikurse Afrika Perëndimore.
Sipas raportit të OKB-së, grupi ISIS ende mendohet se ka akses në financa që shkojnë deri në 300 milionë dollarë, dhe po përdor propagandën për ta ruajtur reputacionin e vet si një nga grupet terroriste kryesore të botës.

Exit mobile version