Telegrafi

OKB: Ambasadorja Power, diplomatja e vetme në KS

Numri i femrave diplomate në Kombet e Bashkuara gjithnjë ka qenë i vogël gjatë 70 viteve të fundit, pasi vetëm disa prej tyre kanë pasur ulëse në Këshillin e Sigurimit.

Në vitin 2014 në KS të OKB-së ishin 6 femra, që ishte numër rekord, në vitin 2015 ishin katër diplomate, ndërsa sot atje është vetëm një diplomate, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Samantha Power.

Derisa mijëra femra janë tubuar në selinë e OKB-së në Nju Jork këtë javë për mbledhjen vjetore të Komisionit të OKB-së për Statusin e Grave, katër ambasadore të OKB-së, që kishin shërbyer në Këshillin e Sigurimit, përfshirë zonjën Power, kanë diskutuar lidhur me pjesëmarrjen e tyre në këtë organ të dominuar nga meshkujt dhe për nevojën që të ketë më tepër femra në vijat e para të çështjeve të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, raporton AP.

Shefi politik i Kombeve të Bashkuara, Jeffrey Feltman, i cili e ka kryesuar panelin e mbrëmshëm, tha se kthimi në vetëm një femër në këshill, tregon se ekziston nevoja për “përkushtim të qëndrueshëm” të barazisë gjinore në trajtimin e krizave dhe konflikteve botërore.

Megjithatë, ai theksoi se situatë e këtillë e pafavorshme për femra nuk ekziston vetëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.