Organizat joqeveritare përmes një komunikate për media, ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që më 27 prill në ora 20:00, t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë e tyre për 2 minuta, për të shënuar ditën kombëtare të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
“Me 2 minuta errësirë në familjet tonat, ne do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilën ndodhen familjarët e 1.644 personave ende te pagjetur për tash e 20 vjet.
Që 20 vjet familjarët kërkojnë e shpresojnë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Që 20 vjet ata presin në ankth për të ditur të vërtetën por edhe për drejtësi për krimet që janë bërë ndaj familjarëve të tyre.
Që 20 vjet familjarët dhe shoqëria kosovare përballen me neglizhencë institucionale për zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur. Prandaj, edhe në këtë ditë, si çdo ditë tjetër, ne nuk do t’i harrojmë”, thuhet në komunikatën e tyre.
OJQ “Integra” thekson se do të vazhdojmë t’i kujtojmë personat e pagjetur, sepse ata janë pjesë e jona.
“Qeverisë së Kosovës do të vazhdojmë t’i kërkojmë përgjegjësinë ligjore dhe morale që ka për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur, ndërsa shoqërisë kosovare përgjegjësinë kolektive që ka për të mos harruar asnjëherë”, thuhet në komunikatë.
Kjo ngjarje organizohet nga Integra, Missing Persons Resource Center, YIHR, Humanitarian Law Center Kosovo dhe forumZFD – Kosovo Program. /Telegrafi/