Site icon Telegrafi

OJQ-të dhe profesorët do të monitorojnë punën e Këshillit Gjyqësor

Ligji për këshill gjyqësor duhet të pësojë ndryshime, sidomos duhet të ndryshohet mentaliteti i gjykatësve për të punuar me nder, ka deklaruar kryetarja e Këshillit gjyqësor Vesna Dameva. Sipas saj, është e nevojshme të vendoset përgjegjësi individuale mbi anëtar të Këshillit që ka shkelur ligjin, por ajo thekson se me ligjin aktual është e pamundur të zbatohet në praktikë.

“Nuk duhet të ketë përgjegjësi kolektive, duhet të ketë përgjegjësi individuale, por besoni se atë përgjegjësi individuale, të paktën në këtë moment, jo si kryetare e Këshillit gjyqësor, si anëtare jam e penguar, sepse ligji nuk ka bazë të mjaftueshme për të siguruar dhe përcaktuar procedurën për të cilën ky anëtar ose ndonjë anëtar i ardhshëm i Këshillit gjyqësor mund të mbajë përgjegjësi për disa nga veprimet e tij të pakujdesshme, të pandershme, të kundërligjshme dhe të ngjashme”, tha Vesna Dameva, kryetare e Këshillit gjyqësor.

Mënyra e sanksionimit të gjykatësve nga Këshilli gjyqësor do të jetë nën vëzhgimin e organizatave joqeveritare- ekip i udhëhequr nga profesori Denis Preshova së bashku me profesorë të tjerë nga fusha e së drejtës dhe anëtarë të koalicionit joqeveritar “Të gjithë për gjykim të drejtë” do të bëjë vlerësimin e procedimeve disiplinore të nisura ndaj gjykatësve në periudhën 2019-2023. Subjekt i inspektimit do të jenë 20 lëndë kurse monitorimi do të bëhet në punën e vetë këshillit.

“Nëpërmjet vlerësimit dhe hulumtimit që do të bëhet do të mund të shihet se cilat janë praktikat e mira që ka Këshilli gjyqësor në kuadër të veprimit dhe zbatimit të këtyre procedurave disiplinore, por do të mund të shohim se cilat janë mangësitë dhe nëse duhet të ndryshojmë ligjin për Këshill gjyqësor apo nga veprimet në praktikën e Këshillit gjyqësor”, u shpreh Ivana Petkovska, koordinatore e programit në Koalicionin “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Procedurat disiplinore ndaj gjykatësve janë duke u zhvilluar nga Këshilli gjyqësor me dyer të mbyllura dhe me këtë projekt, përmes të cilit ata që do të kryejnë mbikëqyrjen do të kenë mundësi të shqyrtojnë lëndët në detaje, thotë docenti i Fakultetit Juridik Denis Preshova, transparenca do të rritet kurse publiku do të jetë në gjendje të ketë pasqyrë më të afërt se përse është shkarkuar ndonjë gjykatës i caktuar.

“Tek procedura disiplinore kemi fshehtësi të procedurës, që konsiderohet se është fshehtësi prej në fillim deri në fund dhe me këtë sikur kishte tentim për ikje nga veprimi, gjegjësisht nga shqyrtimi i lëndëve që zhvilloheshin para Këshillit gjyqësor, edhe pse ato shkaktonin polemika serioze dhe kundërthënie në opinion. Dhe të frymëzuar nga kjo, donim të hynim më thellë e të shohim ku është hendeku”, tha Denis Preshova- docent i Fakultetit juridik “Justiniani i parë”.

Gjithçka që ky ekip do të konstatojë si dobësi në punën e Këshillit gjyqësor dhe në trajtimin e procedurave disiplinore do të prezantohet në mars të vitit të ardhshëm, kur do të dalë me rekomandime për përmirësimin e punës së Кëshillit. Ky hulumtim vjen në kohën kur Qeveria kërkon reforma serioze, gjegjësisht shpërbërje të Këshillit gjyqësor kurse së fundi në Qeveri është mbajtur takim i kryetares Dameva me kryeministrin Hristian Mickoski. Pas mbledhjes u konstatua se në periudhën e ardhshme Qeveria do të marrë propozime nga palët e interesuara se si do të funksionojë Këshilli në të ardhmen, gjë që e bën të pashmangshme që në periudhën e ardhshme edhe vetë Këshilli gjyqësor t’i nënshtrohet reformave të rëndësishme./Alsat/

Exit mobile version