Shkëlqeu në vitin e tij të parë në Bundesliga, por fatkeqësisht skuadra e tij ra nga elita e futbollit gjerman.
Ylli kosovar, Florent Hadergjonaj pritet të mbetet përsëri pjesë e Bundesligës pasi për të ka oferta konkrete.
Është skuadra e rikthyer në Bundesliga, Stuttgart që ka bërë ofertë zyrtare për deçanasin e talentuar.
Mediat gjermane kanë shkruar se Stuttgart ka ofruar mbi katër milionë euro për transferimin e Hadergjonajt, transmeton Telegrafi.
Pesë herë kampioni gjerman po insiston për transferimin e Florentit, por klubi i tij aktual Ingolstadt po këmbëngul për një pagesë më të lartë.
Ingolstadt po pretendon të fitojë rreth gjashtë milionë euro nga shitja e Florentit.
23-vjeçari iu bashkua Ingolstadit vitin e kaluar nga Young Boys Bern për dy milionë euro.
Ndërkohë ai ka zhvilluar 25 ndeshje në Bundesliga duke shënuar një gol dhe duke asistuar në dy të tjerë. /Telegrafi/