Telegrafi

Oferta nga Turqia dhe Danimarka për Latifin

Interesimi për mesfushorin-sulmues të Skënderbeut, Liridon Latifin, shtohet gjithmonë e më tepër, veçanërisht pas grumbullimit të tij me Kombëtaren.

Në tribunën e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku luhet ndeshja Partizani-Skënderbeu, nesër do të jenë shumë menaxherë të huaj për të ndjekur pikërisht kosovarin e korçarëve nga afër.

Burime të “Sport Ekspres” pranë drejtuesve të klubit kampion bëjnë me dije se bëhet fjalë për menaxherë nga Danimarka dhe Turqia, të cilët do të jenë nesër në stadium për të parë në aksion Liridon Latifin, i vënë prej kohësh në vëmendjen e disa klubeve të huaja.

Latifi po bën një paraqitje shumë të mirë këtë sezon dhe shitja e tij në verë është e sigurt. Pas aktivizimit edhe me Kombëtaren kuqezi, në adresë të Latifit janë shtuar ofertat serioze, jo më kot menaxherët po vijnë në Shqipëri për ta parë më nga afër. Mbetet për t’u mësuar emri i skuadrës së re te kosovarit, por është ende herët, sepse klubi kampion do të studiojë me kujdes çdo alternativë dhe natyrisht do të pranojë atë më të mirën në anën financiare.

Dy menaxherë nga Turqia dhe një nga Danimarka do të jenë prezentë nesër në stadium, por të tjerë mund të vijnë javët e ardhshme. Kujtojmë që ka edhe një interesim nga ana e Lacios për Liridon Latifin, i cili nesër duhet të largojë emocionet dhe të luajë sa më mirë ndaj Partizanit. Sytë e menaxherëve të huaj do të jenë pikërisht tek ai.