Site icon Telegrafi

Ofendimet e Vardarit, Prokuroria në pritje të raportit të MPB-së (Video)

Anëtarët e tifo-grupit “Komitët”, që gjatë festimit të fitores së klubit hendbollist “Vardar” fyen shqiptarët dhe funksionarët shtetërorë, ende nuk janë sanksionuar. Nga Prokuroria Themelore Publike thonë se vëmendshëm po i ndjekin të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë ngjarje. Organi ndjekës thotë se do t’i përvjelë mëngët sapo të kompletohet dhe të dorëzohet raporti i plotë nga Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me thirrjet ofenduese dhe fyese.

“Prokuroria Themelore Publike Shkup, i ndjek të gjitha informatat dhe do të merr masa përderisa për ngjarjen për të cilën ju interesoheni, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si organ i autorizuar për identifikimin e personave të cilët kanë kryer vepra penale, do të vërtetohen konkretisht kryerësit e veprës penale”, thanë nga Prokuroria Themelore Publike.

Ndërkaq nga Ministria e Brendshme thonë se po punojnë në identifikimin e pjesëmarrësve në turmën ku këndoheshin këngë fyese. Sipas tyre, bëhet fjalë për një material mjaftë voluminoz duke pasur parasysh numrin e konsiderueshëm të personave që kanë kënduar njëzëri.

Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski, dënon çdo lloj ofendimi, kërcënimi apo fyerje në baza etnike dhe fetare. Sipas tij një gjë e tillë është e patolerueshme në çdo lëmi, e sidomos në sport.

“Shpresojmë se do të jetë rasti i fundit. Ne edhe si Qeveri por edhe si Agjenci për Rini dhe Sport dënojmë çdo lloj gjuhe të urrejtjes apo çfarëdo nxitje të dhunës, nga një drejt grupit tjetër, pa dallim nëse janë shqiptarë ndaj maqedonasve, maqedonas kundër shqiptarëve, romët kundër turqve apo cilado qoftë. Koncepti i jonë është një shoqërie të përbashkët ku nuk do të ketë paragjykime, do të zgjasim dorën dhe së bashku do të punojmë”, deklaroi Darko Kaevski – Drejtor i Agjencisë së Rinisë dhe Sportit.

Klubi i hendbollit “Vardar” u shpall kampion evropian pas çka u organizua festa për pritjen e lojtarëve, ku nga një pjesë e tifo-grupit “Komitët” u kënduan këngë fyese për shqiptarët. Një ditë më parë klubi u distancua nga thirrjet fyese ndaj çdo grupi të qytetarëve, duke bërë thirrje organeve që të zbardhin rastin dhe që marrin masa preventive për mos përsëritjen e të njëjtit./Alsat/

Exit mobile version