Oda Ekonomike Shqiptare (OESH) organizoi të martën një konferencë të rëndësishme mbi mundësitë e investimeve përmes teknologjisë dhe fondeve të dedikuara për projekte ekonomike, me theks të veçantë në hapësirat shqiptare.
Gjatë konferencës, u diskutuan mundësitë e përthithjes së fondeve nga Bashkimi Evropian, modeli i vendeve të Unionit të Shteteve Afrikane dhe lobimi ndërkombëtar për njohje të reja për Kosovën.
Gjithashtu, u theksua nevoja për bashkëpunim më të ngushtë mes qeverive për mbështetjen e këtyre iniciativave dhe për zhvillimin e eksportit.
Kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare në Kosovë, Hyzer Gashi, deklaroi se konferenca paraqet një mundësi të rëndësishme për bashkimin e fuqisë ekonomike të shqiptarëve kudo që ndodhen.
Ai kritikoi mungesën e mbështetjes së mjaftueshme nga qeveria, duke theksuar se “qeveria duhet të zgjohet nga gjumi dhe të krijojë një fuqi ekonomike më të madhe, si dhe të mbështesë bizneset më tepër”.
Biznesmeni dhe ambasadori në Unionin Afrikan për 35 vende në OKB, Avni Nasufoski, theksoi domosdoshmërën e reformave për të siguruar mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë.
Ai vuri në dukje se Bashkimi Evropian ka alokuar 6 miliardë euro në donacione, por përfitimi nga këto fonde varet nga reformat e implementuara.
“Kosova, për fat të keq, në vitin 2003 arriti të përfitonte vetëm rreth 80 milionë euro nga BE-ja. Ne duhet të punojmë për një terren të përbashkët bashkëpunimi me qeveritë e rajonit”, tha ai.
Ndërkaq, presidentja e PPS Universal Distrib, Btissam Daif, foli mbi kostot e larta të energjisë elektrike dhe inxhinierisë civile, duke prezantuar një teknologji inovative, “Barbarie Plante”, e cila ndihmon në rritjen e sovranitetit ushqimor.
Ajo theksoi se ky fertilizues ka dhënë rezultate të shkëlqyera në më shumë se 85 vende dhe ka mbështetjen e institucioneve si Banka Botërore për Ushqimin.
Safet Sadiku nga Oda Ekonomike Shqiptare dhe përfaqësuesi për Ballkanin i “Planete Construction Technology” theksoi nevojën e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes qeverive për shfrytëzimin optimal të fondeve.
Ai theksoi se energjia e gjelbër dhe teknologjitë e reja solare janë fusha tërheqëse për investime dhe përfitime nga fondet e dedikuara.
Konferenca e organizuar nga OESH u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve shqiptare dhe shfrytëzimit më efikas të mundësive financiare ndërkombëtare.