Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në një kumtesë për media thotë se “si institucion i cili për mision ka mbrojtjen dhe avancimin e bizneseve por edhe ekonomisë në përgjithësi, gjithmonë apelon që masat që ndërmerren nga ana e Qeverisë dhe institucioneve përkatëse të bazohen në analiza dhe me parashikim të detajuar të rreziqeve që mund të sjellin të njëjtat”.
Nga OEMVP thonë se i tillë ishte rasti i ngrirjes së vazhdueshme të çmimeve të dhjetëra produkteve, e cila në fund po dëshmon që kjo masë nuk ka arritur efektin e parashikuar dhe proklamuar.
“Në bazë të deklaratës së Guvernatores së Bankës Popullore znj. Anita Angelovska Bezhoska, Inflacioni ka arritur në 9.5% që dëshmon për faktin se masa e ndërmarrë nuk ka sjellë efektet e pritura, ndërkaq bizneset e sidomos prodhuesit dhe tregtarët janë dëmtuar, ndërsa nga ana tjetër edhe qytetarët vazhdojnë të ngelen të pambrojtur nga inflacioni”.
“Konsiderojmë që këto masa nuk janë adekuate për zvogëlimin e inflacionit andaj duhet të ndërmerren masa alternative dhe në të ardhmen duhet të ndërpriten praktikat e institucioneve për mos konsultimin e odave ekonomike gjatë ndërmarrjes së të njëjtave”, thonë nga OEMVP./Telegrafi/