Telegrafi

OEMVP: Kemi nevojë për zhvillim ekonomik stabil dhe afatgjatë

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kërkon nga institucionet kompetente fokus më të madh në stabilitetin makroekonomik, realizimin e investimeve kapitale dhe stimulim më të madh të investimeve të sektorit real që mundësojnë zhvillim ekonomik stabil dhe afatgjatë.

Në konferencë vjetore, kryetari Nebi Hoxha, ka shprehur shqetësimin e tij për mosrealizimin e investimeve kapitale, duke thënë se edhepse në buxhetin e vitit 2018 ishin të parapara shpenzimet kapitale rreth 390 milionë euro, deri në muajin tetor nga këto mjete janë realizuar vetëm 41%.

Duke folur për hapat që duhet të ndërmerren vitin e ardhshëm në drejtim të përmirësimit të ekonomisë së vendit, Hoxha tha se reformat në administratën publike dhe shtetërore, duhet të jenë hapi i parë drejt zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që në realizimin e regjistrimit të popullsisë, kategoria e regjistrimit të kombësisë të jetë pjesë përbërëse e tij, për shkak se aspekti kulturor është i rëndësishëm për qasjen ndaj konsumatorëve.

Ai më tej tha se kërkesat e adresuara të bizneseve drejt Qeverisë që deri tani që nuk kanë gjetur zgjidhje, janë mospagesa e dëmshpërblimit të kompanive për humbjet e përjetuara gjatë vërshimeve në Hasanbeg, moszgjidhja e problemeve infrastrukturore në zonën e Vizbegut dhe anulimi i planeve detale urbanistike të komunave.