Kompanitë në Maqedoni e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë një fuqi punëtore të kualifikuar.
Nëse më parë një nga avantazhet konkurruese të vendit, si vend për investime, ishte fuqia punëtore, tani investitorët vendas dhe të huaj e kanë problem të gjejnë personel të përshtatshëm.
Kjo ishte veçanërisht e dukshme gjatë periudhës së pandemisë.
Ka një zgjidhje, por është një proces i gjatë i rikualifikimit dhe trajnimit të punëtorëve.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se është e vështirë të veçohet një sektor në të cilin ka staf të mjaftueshëm që kompanitë të ndihen rehat dhe të parashikojnë investimet e tyre të ardhshme.
Sipas analizave të tyre, mungesa më e madhe e personelit ka në sektorin e hotelerisë dhe turizmit, e ndjekur nga sektori i kimisë dhe teknologjisë ku përfshihet edhe industria ushqimore.
“Në sektorin mekanik ka nevojë për saldatorë, operatorë makinerish CNC. metalprerës dhe tornues metali, në sektorin elektroinxhinieri mungojnë elektricistë dhe elektromekanikë për makineri prodhuese, në sektorin e ndërtimit dhe gjeodezisë nevojiten hidraulikë, suvatues dhe montues. Në fushën e arsimit të lartë mungojnë inxhinierë elektronikë, inxhinierë teknologë prodhimi, inxhinierë mekanikë, inxhinierë kimikë, ushqimor dhe për bioteknologji, inxhinierë ndërtimi etj.”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.
Rade Nenadiq, pronar i një agjencie për punësim të përkohshëm, konfirmon se është e vështirë të gjesh staf profesional.
“Kompanitë na drejtohen për të gjetur staf tashmë të trajnuar. Megjithatë, është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, sepse nuk ka personel të arsimuar dhe është një situatë interesante që njerëzit që kanë kualifikimin e duhur nuk duan të rikualifikohen për një tjetër. Një rast të tillë kemi pasur me disa kompani ku kanë ofruar paga të mira gjatë trajnimit dhe punësim të rregullt pas kësaj, por fatkeqësisht nuk kemi arritur t’i takojmë”, thotë Nenadiq.
Agjencia e Punësimit ka vazhdimisht nga 6,000 deri në 9,000 njoftime aktive për punë dhe në të njëjtën kohë, sipas Byrosë Shtetërore të Statistikave, 14,8% e popullsisë aktive janë të papunë, ose 119,699 persona.
Sipas ekspertëve, disa prej tyre punojnë ilegalisht, por një pjesë e mirë e tyre kanë një arsim që nuk kërkohet në treg, kështu që nëse rikualifikohen ose trajnohen sipas nevojave reale të kompanive, mund të marrin lehtësisht një vend pune me pagë të garantuar sipas standardit të Maqedonisë së Veriut.