Telegrafi

OEK-u u premton përkrahje vreshtarëve

Vreshtarët nga Rahoveci të cilët do të subvencionohen e dhe nga Qeveria kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me OEK-un.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se do të krijohen hapësira më të favorshme dhe nuk do të lejojnë që të përsëritet vjeshta që e lamë pas dhe do ë bëjnë promovimin e rrushit dhe për të treguar kualitetin e rrushit që vije nga ky vend.

“Ne do të krijojmë disa minibodrume të verës, dhe do të prodhohet një verë e cilësisë së lartë dhe ajo do të jetë konkurruese e fortë në tregun e jashtëm. Sektori i bujqësisë është më i përshtatshmi dhe po ky sektor duhet të jetë synim i qeverisë për t’u investuar”, theksoi kryetari Gërxhaliu.

Sipas tij, vetëm ky sektorë është serioz në hapjen e vendeve të reja të punës, ku çdo vit janë 25-30 mijë të rinj të aftë për punë.

Kurse, kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve, Labinot Shehu, tha se tërë Rahoveci është në kolaps, pasi dështoi në shitjen e rrushit. “Ne nuk dëshirojmë të mbesim monopol i vetëm dy bodrumeve të verës, por ne dëshirojmë të ndërtojmë minibodrume dhe të kem mundësi të prodhojmë dhe të tregojmë kualitet”, theksoi Shehu. /Telegrafi/