Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka ndarë mirënjohjen e vitit për kompaninë “Mabetex Group”, me rastin e 25-vjetorit të themelimit, si dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin ekonomik, stabilitet social, promovim të produkteve vendore dhe përmirësim të imazhit të Kosovës.
Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu, tha se është koha kur në Kosovë të fillohet me promovimin e vlerave të ndërmarrësisë kosovare.
Sipas tij, heronjtë e Kosovës pas luftës janë biznesmenët të cilët kontribuojnë në punësim, gjenerojnë me të hyrat, arrijnë stabilitet social, i përshpejtojnë proceset integruese dhe mbi të gjitha e përmirësojnë imazhin e dëmtuar të Kosovës.
“Në qoftë se një kompani vendore arrin të punësojë 3000 persona në këtë kohë të krizës, arrin që brenda viti të eksportojë mallra në vlerë prej 50 milionë euro, arrin ta ketë një plan dinamik të investimeve për vitin 2017-2018, ndarja e mirënjohjes është më e vogla çka kemi bërë për këtë kompani”, tha Gërxhaliu.
Integrimi ekonomik në familjen evropiane, sipas tij, nuk arrihet nga aspekti politik, por nga ai ekonomik.
Presidenti i kompanisë “Mabetex Group”, Behgjet Pacolli, pasi falënderoi OEK-un për vlerësimin dhe ndarjen e mirënjohjes tha se ekzistenca e kësaj kompanie në Kosovë është kuptimplotë, sepse i kontribuon përmirësimit të situatës sociale në vend, punësimit, të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike.
“Vetëm në Kosovë janë të punësuar mbi 3000 punëtorë, ndërsa jashtë Kosove janë diku rreth 10 mijë njerëz që punojnë për ‘Mabetex’, prej tyre janë diku 60 për qind shqiptarë”, tha Pacolli. /Telegrafi/