Site icon Telegrafi

OEK, të mbrohen bizneset e shqiptareve në Serbi

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka reaguar ashpër në lidhje me shkatërrimin e bizneseve të shqiptarëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në shtetin serb.

Në një komunikatë për media, OEK-u, ka thënë se me shqetësim është duke i përcjellë dukuritë vandale të shkatërrimit të bizneseve dhe pronave të shqiptarëve në Serbi. “Jemi të mendimit se një qasje e tillë nuk është në frymën e normalizimit të raporteve në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë e në veçanti nuk është në mbështetjen e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel”, thuhet në komunikatë.

Sipas OEK-ut, pasuria është e shenjtë dhe është e drejtë e çdo qytetari që ta mbrojë.

Megjithatë, këta të fundit kanë apeluar tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, si dhe në Serbi të bëjnë maksimumin në mbrojtjen e pasurisë dhe bizneseve shqiptare në Serbi.

“Promovojmë regjionin dhe për këtë duhet të eliminohen barrierat në mes shteteve anëtare, të avancohet dialogu dhe bashkëpunimi ekonomik, të depolitizohen proceset ekonomike se vetëm vula ekonomike mund të jetë garrancë e fuqizimit të marrëveshjeve politike”, thuhet më tej në komunikatë.

OEK-u, më tej ka vlerësuar se skenat të cilat janë bërë në shtetin e Serbisë, si djegia dhe shkatërrimi i pasurisë së shenjët të shqiptarëve në Serbi janë skena të cilat nuk i bëjnë nder Serbisë në rrugëtimin evropian, duke shtuar më tej, se nuk i bëjnë nder as normalizimit të raporteve Kosovë Serbi.

Madje, ata kanë vlerësuar se kjo sjellje e tyre është njollë edhe karshi investitorëve të huaj dhe përmirësimit të imazhit të Ballkanit Perëndimorë të cilat do të de motivojnë edhe më tepër investohet e huaj. /Telegrafi/

Exit mobile version