Telegrafi

OEK: Sektori i ndërtimit mundësi e pashfrytëzuar, por me sfida të shumta

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka prezantuar rezultatet e studimit rreth barrierave dhe mundësive të sektorit të ndërtimit në vend, të identifikuara në kuadër të indeksit të klimës së biznesit për tremujorin e katërt të vitit 2017.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se ky studim është projektuar për të identifikuar dhe artikuluar pengesat e të bërit biznes dhe parashikimin e trendeve të ekonomisë së vendit në periudhë tre mujore dhe periudhë ciklike gjashtë mujore.

Sipas tij, sektori i ndërtimit në vendin tonë rezulton të jetë mjaft optimist dhe aktiviteti biznesor i tyre është në rritje. Ai tha se sektori i ndërtimit vazhdon të ballafaqohet me barriera të shumta.

“Pjesa dërmuese e këtij sektori është mungesa e stafit të kualifikuar, konsumatorët nuk paguajnë me kohë, kostoja e punës, mungesa e porosive. Një dukuri e cila vështirëson qasjen në financa është mospranimi teknik i objekteve dhe pjesa dërmuese janë me financime vetanake. Ndërmarrjet nuk investojnë në trajnime. 67 për qind e tyre thonë se punëtorët nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e asnjë trajnimi. Ajo çka është shqetësuese është qe partneriteti me shkollat profesionale është shumë i dobët në këtë sektorë”, tha Gërxhaliu, përcjell Telegrafi.

Olivera Ceni, nga OEK prezantoi të gjeturat e raportit. Ajo tha se 90 për qind e kompanive të ndërtimit deklaruan se aktiviteti i tyre është i mirë, por që barrierë kanë mungesën e punëtorëve të kualifikuar dhe normat e larta të interesit.

“Gjendja e biznesit vlerësohet të jetë e kënaqme. 90 për qind e tyre deklaruan se aktiviteti i tyre është i mirë. 52 për qind të tyre presin rritje të numrit të punësuarve, 65 të tyre presin që situata e biznesit të përmirësohet ndërsa 7 për qind e tyre presin që të përkeqësohet. Sipas kompanive ndërtimore 34.5 për qind e tyre thonë që numri i porosive janë shumë të vogla. Rreth 21 për qind e tyre presin rritje të çmimet të shitjes në tremujorin e parë të vitit 2018. Shqetësuese është fakti i shfrytëzimit të kapacitetit të tyre. Ato kanë deklaruar se vetëm 50 për qind shfrytëzojnë kapaciteteve të tyre. Barrierë kryesore e kompanive të ndërtimit mbetet mungesa e punëtorëve të kualifikuar, ndërsa edhe mungesa e mjeteve financiare në këtë sektor. Normat e larta të interesit vazhdon të mbetet ndër tre top barrierat në këtë sektor”, tha Ceni.

Valon Vataj, nga KAWA Grup, tha se sfidat në sektorin e ndërtimit janë të mëdha dhe pothuajse të njëjta në të gjithë rajonin. Sipas tij, siguria e punëtorëve në vendin e punës është e ulët, prandaj edhe do ta mbikëqyrin atë.

“Ne kemi menduar që të marrim iniciativë për të mbikëqyrë sigurinë e punëtorëve në vendin e punës. Ndërtimi është një sektor i fuqishëm për zhvillimin ekonomik në vend. Mungesa e përkrahjes institucionale na bënë që ne të hasim në barriera. Pothuajse 90 për qind e kompanive të cilat punojnë me institucionet publike janë në krizë”, tha Vataj. /Telegrafi/