Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë prezantimin e raportit të “Monitorit të Biznesit Kosovar”, për tremujorin e dytë të vitit 2016. Sipas këtij raporti del se bizneset në këtë tremujorë, kanë vlerësim pothuajse të ngjashëm si në tre mujorin paraprak.
Rreth 30% të bizneseve të anketuara vlerësuan situatë të mirë të të bërit të biznesit. Gjendja duket shumë më e mirë edhe krahasuar me TM-në e njëjtë të vitit paraprak. Pritjet për punësim mbeten me trend pozitiv. Në krahasim me TM-në paraprak ka një rënie prej 10%, por sidoqoftë pritjet janë premtuese. Vetëm 4% e bizneseve të anketuara, presin që punësimi të bie.
Një vlerësim i tillë pasqyron optimizmin e sektorit privat sa i takon rritjes së numrit të punëtorëve brenda 6 muajve të ardhshëm.
Me këtë rast, Hykmet Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se është mirë që indikatorët e prezantuara janë pozitive. Ajo tha se ambienti i biznesit nuk varet vetëm nga ministria që ajo e udhëheq, por në krijimin ambientit sa më të mirë janë të lidhura edhe shumë ministri.
Sipas ministres në këtë gjashtë mujor janë regjistrua 10 për qind më shumë biznese se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. “Ambienti i bizneset nuk mund të jetë përgjegjësi e një ministrie. Prej dhjetë indikatorëve që mat Banka Botërore, MTI është përgjegjëse vetëm për dy indikator. Në këtë gjashtë mujor në krahasim me gjashtë mujorin kaluar është rrit numri i bizneseve të regjistruara për 10 për qind“, tha Bajrami.
Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut, tha se pavarësisht problemeve të cilat i ka vendi, sektori privat dhe përfaqësuesit e komunitetit të bizneset po e ndajnë politikën nga ekonomia.
“Jemi dëshmitarë të asaj se kohëve të fundit në Kosovë më tepër dominon agjenda politike se sa ajo ekonomike. Objektivat ekonomike i kanë prioritet, nga të cilat sot kemi buxhet, kemi të hyra nga Doganat dhe ATK-ja , kemi transparencë, kemi dialog dhe kemi partneritet publiko privat”, tha Gërxhaliu.
Nga ana tjetër, Henriette Kotter, përfaqësuese nga ambasada gjermane në Kosovë, që e mbështeti këtë projekt, tha se me këto lloj aktivitete do të ndihmojnë bizneset në rritjen e produktivitetit, që do të kenë ndikim në rritjen e punësimit dhe ekonominë e vendit.
“Më lini të tregoj me pak fjalë disa nga aktivitetet që i kemi realizuar së bashku; kemi asistuar tek Oda Ekonomike e Kosovës në procesin e certifikimeve në strategjinë zhvillimore të kësaj Ode, ristrukturimin e Odës Ekonomike dhe zyrat e saj regjionale për ta bërë atë më funksionale… Ky është një nga projektet me programin që KCC ka ndërmarrë me mbështetjen e GSD-së. Këto lloj studimesh janë mbajtur në shumë vende, gjithashtu edhe në Gjermani, dhe është një instrument shumë i mirë për analizimin e zhvillimit të bizneseve. Nëpërmjet të dhënave të saja të besueshme sektori privat mund të marrë vendime banesore më adekuate lidhur me planifikimin e aktiviteteve dhe investimeve, dhe kjo ndikon ne rritjen e produktivitetit, rritje e punësimit dhe ekonomisë”, tha Kotter.
Për realizimin e këtij raporti janë anketuar afër 400 biznese . Indikatori i konfidencës, sipas këtij raporti, ka vazhduar me trend pozitiv edhe në këtë tremujorë. Besimi i bizneseve ka filluar të ngjallet, por sidoqoftë krahasuar me TM paraprak kemi një rënie të lehtë prej 6%, respektivisht nga 22 në 16. Ky raport është prezantuar nga Rob Van Raaj , përfaqësues nga OEK. /Telegrafi/