Telegrafi

OEK, pranë zgjidhjes së problemit me mishtarët

Shoqata e mishtarëve të Kosovës thotë se është nën tension pasi sot përfundon afati i tenderit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës për import të mishit. Ndërkohë, Oda Ekonomike e Kosovës pret që shumë shpejt të zgjidhet kjo situatë.

Shoqata e Mishtarëve të Kosovës edhe më tutje mbetet pranë kërkesës se tenderi për import të mishit, përkatësisht udhëzimi administrativ 07/2009 duhet të anulohet tërësisht. Kryetari i Shoqatës Burrim Pirraj potencoi presionin me të cilin po ballafaqohen.

“Tensioni nuk është i ulët ndër anëtarët e shoqatës sepse nesër (e martë) oshtë afati i përfundimit të tenderit. Ka një tension edhe jemi në një gjendje jo të mirë, jo të volitshme dhe çdonjëri e ka frikën mos ky tender po aktualizohet mos po plot-fuqizohet edhe mos po bëhet konfuzion edhe deformim i tregut”, ka deklaruar Pirraj të hënën.

Beqaj, i cili tregoi se e ka sugjeruar kryeministrin që të anulohet tenderi, u shpreh optimist.

“Përderisa ne po bisedojmë në mënyrë të rregullt me qeverinë dhe nuk kemi ndonjë përgjigje shumë të theksuar negative unë shpresoj që zëri i arsyes do të dëgjohet dhe shumë shpejt do të dalim me një lajm që praktikisht është anulimi i tenderit dhe praktikisht hapet edhe mundësia për veprim konform rregullit ligjor”, ka thënë Beqaj.

Beqaj njëherit mohoi akuzat e qeverisë se në protestat e mishtarëve ka platformë politike. Ndërkohë, kryetari i Shoqatës Pirraj, tha se protestat nuk po radikalizohen, për shkak të nivelit të lartë intelektual të mishtarëve.