Telegrafi

OEK kërkon nga Kryeministri Thaçi anulimin e tenderit për import të mishit

Bazuar në letrën e Këshillit Drejtues të OEK-së e cila i është dërguar edhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, në këtë diskutim kanë kontribuar edhe zyrtarët e lartë të AVUK-ut, të cilët kanë prezantuar qëllimet dhe specifikat e këtij Udhëzimi Administrativ.

Në konkludimin e këtyre diskutimeve janë miratuar qëndrimet dhe rekomandimet e OEK-ut për gjetjen e një zgjidhje që është në harmoni të plotë me kornizën ligjore.

Qëndrimet dhe rekomandimet e Këshillit Drejtues janë se OEK-ja përkrah politikat e Qeverisë që kanë për qëllim aplikimin e standardeve Evropiane që sigurojnë cilësi për produktet që importohen në tregun e Kosovës.

“Prandaj konsiderojmë që procesi i akreditimit të ndërmarrjeve që importojnë produktet e mishit në tregun e Kosovës, është legjitim dhe në harmoni me standardet Evropiane dhe praktikat e mira”.

OEK-ja po ashtu ka vlerësuar lartë gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e neneve të kontestuara të këtij Udhëzimi Administrativ, përkatësisht neni 8, mirëpo pas reagimeve nga komuniteti i biznesit, partnerët ndërkombëtar dhe vlerësimeve nga KRPP-ja dhe AVUK, OEK-ja ka rekomanduar që të bëhet anulimi i tenderit ekzistues dhe procedura e akreditimit të bëhet në bazë të procedurave ligjore ekzistuese. /Telegrafi/