Telegrafi

OEK e shqetësuar me mosdefinimin e qartë të perspektivës evropiane për Kosovën

Komuniteti i biznesit, përfaqësuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), shpreh zhgënjimin e thellë me dokumentin e fundit të publikuar nga Komisioni Evropian, përmes të cilit definohet Strategjia e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht raportet e ardhshme në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Përderisa ka një përcaktim të qartë të relacioneve dhe anëtarësimit të mundshëm për pesë vende të Ballkanit Perëndimor, në rastin e Kosovës, perspektiva evropiane mbetet në nivel të status quo-së, pothuajse njëjtë më nivelin e vitit 2004, kur në Samitin e Selanikut është përcaktuar ofrimi i ‘perspektivës evropiane’ për vendet e Ballkanit Perëndimor. Që nga Samiti i Selanikut, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor kanë avancuar dukshëm në rrugën e anëtarësimit në BE, ndërsa me Kosovën ka vetëm vazhdim të ‘eksperimenteve frazeologjike’, nga fjalori i burokratëve evropianë. Është e vërtetë që në procesin e integrimit në BE, jemi peng të mosnjohjes nga pesë vende anëtare të BE-së, mirëpo pozicioni i tanishëm i Kosovës në këtë proces është edhe refleksion i moskryerjes të ‘detyrave të shtëpisë’ dhe qasjes infantile dhe vetë-izolues të akterëve kyç të politikës kosovare”, thuhet në reagimin e OEK.

Tutje, njoftimi thotë se “Nga aspekti i ndikimeve të mundshme në ekonominë e vendit, për të cilin ne angazhohemi si institucion, Strategjia e Zgjerimit e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, si një dokument që do të ndikojë edhe në orientimin e investimeve të huaja në rajon, do të ndikojë negativisht në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë. Me një perspektivë evropiane të paqartë, askush nga investitorët e huaj, nuk do të gjej arsye të investojë në Kosovë, kur në të njëjtin rajon gjeografik, ka vende të cilat në vitin 2025 presin të bëhen anëtare të BE-së. Për më shumë, për herë të parë një dokument strategjik dhe zyrtar i BE-së, i referohet kapjes së strukturave të rëndësishme shtetërore, nga politikanë dhe grupe të interesit, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky mund të duket vetëm një formulim më shumë, por në fakt, kjo do të jetë sfida kryesore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të këtyre vendeve, veçanërisht Kosovën, me probleme të theksuara të sundimit të ligjit dhe dukurive negative”.

Në fund, OEK thotë së është momenti i fundit që të bëhet një kthesë dhe të marrim një kahe pozitive, në mënyrë që të mospërmbushen pritjet e skeptikëve të ekzistimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe çelësi për këtë është në adresimin e problemeve dhe prioriteteve të theksuara në Strategjinë për Zgjerim, si dhe në shumë rekomandime të institucioneve dhe miqve ndërkombëtar, përfshirë edhe propozimet dhe kërkesat shumë specifike dhe shumë të arsyeshme të sektorit privat dhe Odës Ekonomike të Kosovës, për zhvillim ekonomik, luftim të ekonomisë joformale, dekriminalizim të strukturave të rendit dhe ligjit dhe mbi të gjitha reformave substanciale në edukim. /Telegrafi/