Telegrafi

OEK dhe BSPK vazhdojnë bojkotin e Këshillit Ekonomik-Social

Sekretari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se gjatë përzgjedhjes së subjekteve nuk janë respektuar kriteret e përcaktuara me ligj dhe kjo është arsyeja e ngecjes së këshillit dhe bojkotit nga OEK-u.

“Jemi të parët ata të cilët kemi kërkuar themelimin e këshillit ekonomik social, duke i respektuar kriteret për përfaqësim të drejtë të të gjitha subjekteve, qoftë ata që reprezentojnë punëtorët, qoftë atyre që reprezentojnë punëdhënësit. Mirëpo, gjatë përzgjedhjes së subjekteve në këtë këshill, qeveria nuk ka respektuar kriteret e përcaktuara dhe kjo ka ndikuar që të stagnojë edhe puna e këshillit”, ka sqaruar Rukiqi.

Edhe përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës janë të zhgënjyer nga Qeveria e Kosovës për përzgjedhjen që është bërë në këtë këshill.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi thotë se BSPK-ja nuk do të marrë pjesë në të derisa të respektohen ligjet në fuqi.

“Qeveria, respektivisht Ministria e Punës duhet të respektojë partneritetin, duhet të respektojë vendimet e Qeverisë dhe bisedat që i kemi bërë deri tani, që ky këshill duhet të funksionojë. Sepse nëse ndërpritet dialogu social do të vijnë problemet ma vonë…”, ka thënë Arifi.

Nga ana tjetër, zyrtarë të qeverisë kërkojnë nga Oda dhe BSPK-ja që të marrin pjesë në këshill, duke theksuar se përzgjedhja e anëtarëve është bërë duke u bazuar në Rregulloren mbi degën e ekzekutivit të institucioneve të Kosovës, sipas së cilës është përcaktuar përbërja e Këshillit Ekonomik Social.
Behgjet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohon se Këshilli Ekonomik Social, tani ka filluar veprimtarinë edhe pa OEK-un dhe BSPK-në, por iu bëri thirrje atyre që t’i bashkëngjiten këshillit për ta fuqizuar rolin e tij.

“Vendimi i kryeministrit është një vendim gjithëpërfshirës. Oferta për BSPK-në dhe OEK janë të hapura dhe ata duhet të marrin pjesë që të japin kontributin e tyre në këtë këshill…”, ka thënë Gaxhiqi.

Në këtë këshill institucionet e Republikës së Kosovës përfaqësohen nga MPMS, MEF, MTI, MASHT dhe nga MSH.

Organizatat e punëmarrësve do t’i përfaqësojnë tre anëtarë të BSPK-së dhe dy anëtarë të KSLK-së. Kurse interesin e organizatave të punëdhënësve do t’i përfaqësojnë tre përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe dy përfaqësues nga Aleanca Kosovare e Biznesit. /rtklive/