Site icon Telegrafi

OECD jep nota mesatare për klimën e biznesit në Maqedoni

Maqedonia e Veriut prin në rajon lidhur me sigurimin e klimës së volitshme të biznesit, mirëpo ngec pas mesatares rajonale lidhur me kënaqësinë dhe besimin ndaj të gjitha shërbimeve publike

Maqedonia e Veriut prinë në rajon dhe Evropë lidhur me sigurimin e klimës së volitshme të biznesit, mirëpo ngec pas mesatares rajonale lidhur me kënaqësinë dhe besimin ndaj të gjitha shërbimeve publike. Këtë e tregojnë analizat më të reja të Organizatës së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik apo OECD. Sipas raportit “Qeveria në shikim të parë, Ballkani Perëndimor 2020”, qytetarët në vend janë të kënaqur me 22 për qind me gjyqësorin në raport me mesataren rajonale prej 33 për qind, me qeverinë janë të kënaqur me 27 për qind në raport me mesataren rajonale prej 34 për qind në vitin 2019. Njëherësh, qytetarët në Maqedoninë e Veriut janë të kënaqur me kujdesin shëndetësor me 46 për qind karshi mesatares ballkanike prej 52 për qind dhe me sistemin arsimor me 54 për qind karshi mesatares ballkanike prej 57 për qind në vitin e kaluar. Nga ana tjetër si shtet në këtë raport kemi fituar treguesin e përbashkët prej 81 pikësh në raport me mesataren prej 73 pikë të Ballkanit perëndimor apo mesataren prej 77 pikë të Bashkimit Evropian.

Raporti më tej thekson se Maqedonia e Veriut po shqyrton më pak rreziqe fiskale sesa shumica e Ballkanit Perëndimor. Tronditjet makroekonomike, ndryshimet në normat e interesit të borxhit dhe garancitë e qeverisë janë rreziqet fiskale që konsiderohen, maten dhe shpalosen në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, jo të gjitha qeveritë e tjera i matin këto rreziqe si dhe nuk i shpalosin edhe rreziqet e tjera si ndryshimet demografike, proceset gjyqësore të qeverisë, partneritetet private publike si dhe rreziqet që lidhen me ndërmarrjet shtetërore. Ato zakonisht konsiderohen si rreziqe fiskale nga qeveritë e tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Njëherësh analiza tregon se tek ne punësimi në sektorin publik si përqindje e punësimit total në vitin 2018 ishte 22.8 për qind që si përqindje është më e ulët në raport me mesataren e Ballkanit perëndimor prej 27.2 për qind si dhe është më e ulët edhe prej mesatares së Bashkimit Evropian prej 23.7 për qind. Si shtet kemi shifra të përafërta të cilësisë së barazisë gjinore në punësimin në administratën publike me shtetet e rajonit me 41 për qind të grave të punësuara në sektorin publik karshi 40.9 për qind të mesatares ballkanike. Mirëpo i tërë rajoni ngec me të madhe për punësimin e grave në sektorin publik në raport me një mesatare prej 61.8 për qind të angazhimit të gjinisë femërore në sektorin publik në Bashkimin Evropian.

Ndryshe, analiza e përgatitur nga OECD për Ballkanin Perëndimor paraqet informacionin mbi qeverisjen publike në rajonin e Ballkanit Perëndimor që përfshin Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë. Raporti ofron të dhënat krahasuese për shtetet e rajonit në raport me shtetet e tjera anëtare të OECD. Ky botim përmban mbi 40 tregues mbi financat publike, punësimin publik, qeverinë, rezultatet thelbësore të qeverisë dhe shërbimi ndaj qytetarëve etj.(koha.mk)

Exit mobile version