Telegrafi

OECD: Investimet e dobëta dhe rritja e borxhit do të pengojë rritjen ekonomike

Rritja ekonomike globale pritet të arrijë në nivelin më të lartë në 8 vite në 2018-ën, por investimet e dobëta dhe rritja e madhe e niveleve të borxhit do të limitojnë përmirësimin e mëtejshëm, tregon Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Ekonomia globale pritet të rritet me 3.6% këtë vit, të arrijë majën në 3.7% vitin që vjen dhe do të tërhiqet në 3.6% në 2019-ën, tregon Organizata në raportin e fundit mbi perspektivën ekonomike. Organizata me seli në Paris, rriti vlerësimin për këtë vit, nga 3.5% që projektonte në muajin Shtator, por la vitin e ardhshëm të pandryshuar.

“Situata është pozitive aktualisht, por nëse nuk ka aktivitet të fortë në sektorin privat dhe rritje më të shpejtë të pagave reale, normat e rritjes së ekonomive nuk do të jenë kaq optimiste”, tha shefja e ekonomistëve e organizatës, Catherine Mann.

Sipas saj, të dhënat e fundit kanë marrë nxitje nga politikat fiskale dhe monetare. Ajo shtoi se kompanitë nuk po investojnë mjaftueshëm për të kompensuar për zhvlerësimin e aktiveve ekzistuese si dhe në investimet shtesë për rritje të mëtejshme.

Pavarësisht investimeve të dobëta private, ekonomitë familjare dhe kompanitë po përfitojnë nga normat e ulëta të interesit në shumë vende, duke u ekspozuar ndaj rreziqeve kur bankat qendrore të nisin politikat tkurrëse monetare. Me normën më të fortë në një dekadë, Eurozona pritet të tejkalojë ekonomitë e tjera të zhvilluara këtë vit, me një rritje me 2.4%, ndjekur nga 2.1% në 2018-ën dhe 1.9% pas dy vitesh.

OECD rriti projeksionet për ekonominë e SHBA, në 2.2% këtë vit, 2.5% në 2018-ën dhe 2.1% pas dy vitesh. Organizata uli projeksionet për Japoninë në 1.5% këtë vit dhe paralajmëroi se borxhi në 220% të PBB, më i larti në vendet anëtare, përbën një rrezik serioz për vendin. /Telegrafi/