Site icon Telegrafi

OEAK: Të funksionalizohen sa më shpejtë institucionet

Sipas Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), funksionimi i duhur i institucioneve shtetërore në të gjitha nivelet e qeverisjes është i një rëndësie të madhe për vazhdimin e reformave në mjedisin e të bërit biznes dhe fuqizimin e sektorit privat në vend.

Duke pasur parasysh vonesat në funksionalizimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Oda Amerikane thekson rëndësinë e tejkalimit sa më të shpejtë të situatës momentale politike, në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të proceseve që mundësojnë rritje më të shpejtë ekonomike.

“Një situatë e tillë pamundëson adresimin dhe zgjidhjen në mënyrë formale të problemeve me të cilat përballet sektorit privat në Kosovë, ashtu që të mund të përmirësojë pozitën e tij konkurruese kundrejt sektorëve konkurrentë në rajon. Komuniteti i biznesit rikujton se në Kosovë ka shumë punë për t’u bërë për të zënë hapin me shtetet e rajonit, të cilat në të gjitha aspektet janë në fazë më të avancuar të zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euro-atlantike”, thekson kjo odë.

Oda Amerikane është e shqetësuar me shifrat e publikuara së fundmi për rënien e mëtejme të investimeve të huaja direkte në një kohë kur të gjitha vendet e rajonit janë duke bërë përpjekje agresive për tërheqjen e më shumë investimeve të huaja, përmes ofrimit të stimujve të ndryshëm.

“Mosrealizimi i projekteve kapitale është duke shkaktuar probleme të mëdha në rrjedhën e parasë së gatshme tek bizneset, sidomos kur merret parasysh rëndësia që projektet publike kanë për pjesën më të madhe të bizneseve në vend. Projektet investive që është pritur të sjellin efekte pozitive në ekonomi kanë mbetur peng i situatës politike, duke krijuar kështu një pasiguri të lartë në mesin e investitorëve të huaj, por edhe investitorëve vendor”, thuhet në reagimin e OEAK-së.

Në një kohë kur Kosova do të duhej të rriste përpjekjet për përmirësimin e mëtejmë të ambientit afarist me qëllim të nxitjes së investimeve, vonesat në krijimin e institucioneve do të prodhojnë rezultate shumë negative jo vetëm në këtë vit, por edhe në vitet e ardhshme, si në vështirësimin e mjedisit afarist ashtu edhe në rëndimin e mëtejmë të papunësisë dhe varfërisë në vend. /Telegrafi/

Exit mobile version