Sfidat të cilat po hasin bizneset anëtare në komunën e Gjakovës dhe krijimi i linjave të komunikimit ishin arsyet kryesore të takimit të realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
Kryetari i bordit të OAK-së, Skënder Krasniqi prezantoi disa nga çështjet që oda është duke trajtuar, e ku theks të veçantë i kushtoi rëndësisë së Ligjit për Tregti të Brendshme, i cili do t’i mundësonte komunave të kenë kontroll për llojin e biznesit që hapet në komunë, gjë e cila do të mbronte bizneset aktuale dhe do të ndihmonte në orientimin e investimeve.
Ndërsa, përfaqësuesi nga “Scan Color – JYSK”, Edon Fishekqiu theksoi që JYSK është për të respektuar festat zyrtare, mirëpo kërkoi që për disa nga ato siç është 2 janari dhe 9 maji – dita e Evropës t’iu mundësohet të punojnë, kjo pasi që po shkakton humbje të mëdha për Jysk – dega në Gjakovë.
Fishekqiu veçoi disa nga problemet që kohëve të fundit janë duke i hasur me Inspektoratin e Tregut të Gjakovës, e të cilat Jysk i ka të caktuara me franchize dhe nuk mund t’i ndryshojnë.
Koordinatorja e Odës së Afarizmit të Kosovës, Qendresa Ibrahimi veçoi problemin e një nga bizneset anëtare sipas së cilit komuna e Gjakovës është e vetmja që kërkon dokumentin e vlerësimit të riskut për vendosje të panelave solare, gjë e cila bënë që të ngritet çmimi i një sistemi solar dhe e vë në pozitë të pabarabartë me konkurrentët e tjerë.
Kryetari Gjini falënderoi OAK-në për takimin dhe shtoi që Komuna e Gjakovës është e interesuar që të ftoj sa më shumë biznese dhe t’i përkrah ato.
Lidhur me çështjen e festave zyrtare ai tha që duhet të respektohen komunitetet, dhe kjo është arsyeja pse Komuna e Gjakovës ka këtë rregullore, pasi që edhe besimet fetare janë të shumta, mirëpo me kërkesa të biznesit dhe duke respektuar kriteret e parapara, bizneseve mund t’iu lejohet puna edhe gjatë këtyre ditëve.
Problemet me Inspektoratin e Tregut dhe kërkesa për dokumentin e vlerësimit të riskut, Gjini theksoi që do t’i trajtojë në afat sa më të shkurtë kohorë, dhe ndër të tjera u fokusua tek zhvillimi që Komuna e Gjakovës ka arritur që nga koha e qeverisjes së tij.
Në fund të këtij takimi, palët u dakorduan që të bashkëpunojnë në çdo çështje e cila shpie në rezultate më të mira për bizneset.